Shefi i La Liga-s: Anglezët po e shkatërrojnë futbollin
B. H. / RTKlive
Klubet e Ligës Premiere shpenzuan një rekord prej 915 milionë eurosh për vetëm një muaj të afatit kalimtar të dimrit, sipas analizës nga “2Deloitte Sports Business Group”.
Përveç shpenzimeve rekord të skuadrës së Anglisë, ata vendosën edhe një rekord individual. Chelsea ka përmbyllur afatin kalimtar me shpenzimet më të mëdha të çdo klubi në historinë e futbollit. Ai shpenzoi 37 për qind të shumës totale të përmendur (330 milionë euro), që është më shumë se shpenzimet totale të të gjitha klubeve në Bundesligë, La Liga, Serie A dhe Ligue 1.
La Liga është e tërbuar sepse, ndërkohë që ata po kursejnë, konkurrenti i tyre i vetëm po shpenzon miliarda euro.
Nga liga spanjolle janë të vetëdijshëm se janë konkurrenti i vetëm i Premier Leagues për statusin e ligës kombëtare më të fortë, më tërheqëse dhe më fitimprurëse në botë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për duelin e tyre në nivel global për të drejtat televizive.
Publiku botëror dëshiron të shohë lojtarët më të mirë, më tërheqës e më të shtrenjtë, dhe duke gjykuar nga afati kalimtar i fundit, atëherë pa dyshim se anglezët i mundën spanjollët.
Për këtë arsye ka reaguar Javier Gómez Tebas, menaxheri i përgjithshëm i La Ligës, i cili kohët e fundit është kritikuar për trajtimin e ashpër ndaj Barcelonës, konkretisht për vendimin që të mos lejojë klubin katalanas që të blejë lojtarë, për shkak se është në prag të falimentimit.
“Ajo që po bëjnë klubet angleze është arsyeja e vërtetë për të shpjeguar se sa absurde janë historitë se dëshira e La Ligës për të pasur kontroll ekonomik mbi klubet spanjolle po çon në atë që klubet të na sjellin më pak lojtarë se ata anglezë. E dini cila është e vërteta e vetme? Thjesht duam që klubet tona të shpenzojnë atë që mund ta përballojnë dhe atë që ata vetë krijojnë përmes të ardhurave të tyre”, ka shpjeguar Tebas dhe më pas sulmoi anglezët: “Cili është problemi kryesor me ta? Ata po i dopingojnë klubet, duke u injektuar atyre para që klubi nuk i krijoi për t'i shpenzuar. Kjo vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e klubit nëse pronari apo aksioneri kryesor largohet. Nuk është thjesht doping, është mashtrim”.
Tebas ofron një zgjidhje për t'u bërë pengesë klubeve angleze në këtë drejtim.
“Ne do të luftojmë. Ne i kërkojmë UEFA-s të vendosë rregulla për të parandaluar aksionerët e klubeve të investojnë më shumë se një shumë të caktuar dhe të monitorojë nëse klubet e respektojnë këtë rregull. Kushdo që nuk i respekton këto rregulla duhet të gjobitet. Nuk ka rëndësi se për cilin shtet apo ligë bëhet fjalë”, ka shtuar Tebas.























