40 shtete mund të bojkotojnë Lojërat Olimpike “Paris 2024” shkaku i Rusisë
Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive
“Deri 40 shtete mund të bojkotojnë lojërat e ardhshme Olimpike, duke e bërë gati të pakuptimtë të gjithë ngjarjen”, deklaroi Kamil Bortniczuk, ministër i Sportit dhe Turizmit të Polonisë. Komentet e tij pasojnë refuzimin nga Polonia, Lituania, Estonia dhe Letonia, një plan të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të lejuar rusët dhe bjellorusët të konkurrojnë në këto lojëra në vitin 2024.
Ukraina nga ana tjetër ka kërcënuar se në rast se Rusisë do t’i lejohte pjesëmarrja, do të jeta jo që do të bojkotojë Lojërat Olimpike që do të mbahen në Paris.
Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar deklaroi të enjten se çdo bojkot i këtyre lojërave, vetëm sa do të "dënojë atletët".
Ministri Bortniczuk deklaroi se ai besonte se do të ishte e mundur të ndërtohej një koalicion prej 40 vendesh, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, për të mbështetur një bllokim në planet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, përpara një takimi do të mbahet më 10 shkurt.
“Duke pasur parasysh këtë, nuk mendoj se do të përballemi me vendime të vështira përpara Olimpiadës dhe, nëse do të bojkotojmë lojërat, koalicioni ku do të jemi pjesë do të jetë mjaft i gjerë për ta bërë të kotë mbajtjen e lojërave”, deklaroi ministri polak, raporton BBC, transmeton RTKlive.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi javën e kaluar se do të "eksploronte një shteg" për të lejuar atletët rusë dhe bjellorusë të garojnë në Paris, nën një flamur neutral, duke shtuar se "asnjë atlet nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës që zotëron".
Ky qëndrim u dënua nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e cila deklaroi se plani ishte “një botë larg realitetit të luftës".
Ministri i sportit i Ukrainës, Vadym Guttsait tha se organet sportive të vendit duhet të "forcojnë komunikimin" me federatat ndërkombëtare për të mbajtur në fuqi një ndalim për atletët rusë dhe bjellorusë, masë kjo e vendosur nga komiteti ekzekutiv i KON-it, menjëherë pas agresionit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Megjithatë, presidenti i KON-it, Thomas Bach, ka thënë se atëherë kjo ishte menduar vetëm si një masë "mbrojtëse" ndaj atyre atletëve dhe tani këmbëngul se ata nuk duhet të diskriminohen.
Të enjten, ministrat e sportit nga Letonia, Lituania, Estonia dhe Polonia thanë se "çdo përpjekje e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të rikthyer atletët rusë dhe bjellorusë për të garuar, qoftë edhe nën një flamur neutral, duhet të refuzohet".
"Përpjekjet për të kthyer atletët rusë dhe bjellorusë në garat sportive ndërkombëtare nën petkun e neutralitetit legjitimojnë vendimet politike dhe propagandën e gjerë të këtyre vendeve".
Dhe ata u bënë thirrje "të gjitha organizatave dhe federatave sportive ndërkombëtare" që të largojnë atletët rusë dhe bjellorusë nga garat ndërkombëtare derisa të përfundojë lufta.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara tha se mbështet pezullimin e organeve drejtuese sportive ruse dhe bjelloruse nga organizatat ndërkombëtare sportive dhe gjithashtu po inkurajon organizatat që të ndalojnë transmetimin e ngjarjeve në të dy vendet.
Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre shtoi se nëse atletët lejohen të marrin pjesë në ngjarje të tilla si Lojërat Olimpike, duhet të jenë si atletë neutralë dhe "duhet të jetë absolutisht e qartë se ata nuk përfaqësojnë shtetet ruse apo bjelloruse".
KON-i përsëriti se nuk kishte pasur ende diskutime për kthimin e atletëve rusë dhe bjellorusë në gara dhe paralajmëroi Ukrainën dhe vendet e tjera për implikimet e kërcënimit me bojkot.
"Kërcënimi me bojkot të Lojërave Olimpike, të cilat Komiteti Olimpik i Ukrainës po shqyrton aktualisht, bie ndesh me bazat e lëvizjes olimpike dhe parimet për të cilat lufton," shkroi KON-i në një dokument me pyetje dhe përgjigje, të publikuar të enjten.
"Bojkoti është shkelje e Kartës Olimpike, e cila i detyron të gjitha Komitetet Olimpike të 'marrin pjesë në Lojërat e Olimpiadës duke dërguar atletë'. Siç ka treguar historia, bojkotet e mëparshme nuk arritën qëllimet e tyre politike dhe shërbyen vetëm për ndëshkimin e sportistëve”.
(Marrë nga BBC. Tittulli nga RTKlive)























