Çështja McGonigal në Shqipëri, “New York Times” zbardh detaje
Foto:RTSH
Shqipëri

Çështja McGonigal në Shqipëri, “New York Times” zbardh detaje

/rtsh.al/

Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga hetimet në lidhje me çështjen McGonigal, duke hedhur dritë edhe mbi takimin e këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama, që është kthyer në diskutimin kryesor në politikën shqiptare prej ditësh tashmë.

Sipas “New York Times”, ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal, nuk e kishte fshehur marrdhënien e tij me Ramën dhe se për komunikimet me kreun e qeverisë shqiptare ka përdorur adresën e tij zyrtare të emailit

“Gatishmëria e zotit McGonigal për t'u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët. Ai përdori gjithashtu adresën e tij të emailit dhe telefonin e FBI-së për çështje të lidhura me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim”, thuhet në artikull.

Artikulli sqaron me tej edhe takimet e McGonigal me biznesmenin shqiptar, Agron Neza, ku shkruhet se ata u takuan në gusht të vitit 2017, ku ish-agjenti i FBI i kërkoi atij një shumë parash, në formë borxhi. Bëhet fjalë për 225 mijë dollarë të cilët, McGonigal premtoi se do tja kthejë sërish Nezës. Sipas artikullit, ndaj Nezës nuk është ngritur asnjë akuzë në hetime.

“Në takimin e gushtit 2017, zoti McGonigal i kërkoi para zotit Neza. Ata nuk dhanë detaje se si u takuan dy personat, por në aktakuzën e Nju Jorkut, zoti Neza përmendet si miku i zotit McGonigal. Në muajt pasi zoti McGonigal kërkoi para, ata bënë udhëtime të shumta në Evropë, ku z. McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për zotin Neza. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje”, thuhet në artikll.

Që prej arrestimit të ish-agjentit të FBI, opozita në Shqipëri ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se ka korruptuar McGonigal për favore të qeverisë dhe në dëm të opozitës. Kryeministri Edi Rama është përgjigjur duke pranuar se e ka takuar McGonigal, por si agjent të FBI dhe duke hedhur poshtë akuzat e opozitës.

Komisioni i Rithemelimit dorëzoi sot në Kuvend edhe kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për hetimin e marrdhënieve të McGonigal me kryeministrin Rama.


MË SHUME NGA Shqipëri