Kosova dhe Hungaria të përkushtuara për bashkëpunim ekonomik
Lajme

Kosova dhe Hungaria të përkushtuara për bashkëpunim ekonomik

Në Budapest u mbajt sesioni i dytë i Komisionit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, i bashkëkryesuar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Sztaray.

Sipas njoftimit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe vullneti për intensifikimin e tyre edhe më tutje, u potencuan gjatë fjalëve hyrëse të të dyja palëve.

Ministrja Hajdari theksoi prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik duke njoftuar delegacionin hungarez për treguesit ekonomik në rritje dhe të demokracisë e poashtu për politikat dhe reformat strukturore për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, me rezultat në rritjen e besueshmërisë, duke e shëndrruar Kosovën në destinacion serioz dhe stabil për të investuar.

Gjatë sesionit njëditor të ekspertëve të të dyja shteteve, u diskutuan fushat e propozuara për bashkëpunim ekonomik.

Ndërsa të nesërmen, Ministrja Rozeta Hajdari dhe Sekretari i Shtetit Peter Sztaray, nënshkruan Protokollin e Sesionit të dytë të Komisionit për bashkëpunim Ekonomik në këto fusha: Industri e prodhimit, bujqësi dhe industri e ushqimit, mbrojtje e mjedisit dhe menaxhim i ujrave, turizëm, edukim, hulumtim dhe zhvillim, shkencë dhe teknologji dhe Thesar.

Ndërkaq përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Pannonisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi.

Poashtu, Agjencia për Mbështetjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve në Kosovë ( KIESA) dhe Agjencia Hungareze e Promovimit të Eksportit (HEPA) organizuan një forum biznesi me pjesëmarrje të bizneseve kosovare dhe hungareze, i cili ofroi një mundësi të mirë njohjeje dhe rrjetëzimi për të zhvilluar marrëdhënie bashkëpunimi mes kompanive kosovare dhe atyre hungareze.

Në kuadër të këtij forumi, dy agjencitë nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi.

Palët u pajtuan që sesioni i ardhshëm i Komisionit të përbashkët Kosovaro-Hungarez për bashkëpunim ekonomik të zhvillohet në Prishtinë.


MË SHUME NGA Lajme