Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, sot pret edhe Lajçakun
BKT
Lajme

Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, sot pret edhe Lajçakun

M.Sh/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me ambasadorët e shteteve të Qunitit (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë), por edhe disa ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë.

E para këtij takimi, kryeministri tha se gjatë ditës do të zhvillojë një takim edhe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

“E kemi një takim me të gjithë ambasadorët e akredituar nga Qeveria në orën 11:00 pastaj e kemi një drekë punë më emisarin e veçantë Miroslav Lajçak. Ajo se çka do të diskutohet, do t’iu tregojmë në fund të takimit”, tha Kurti.

Ndryshe, në një intervistë  për Associated Press, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Kosovës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri kosovar tha se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.

Kurti tha se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.


MË SHUME NGA Lajme