Bie ndjeshëm numri i shqiptarëve me lejeqëndrimi në Greqi
Shqipëri

Bie ndjeshëm numri i shqiptarëve me lejeqëndrimi në Greqi

VOA

Ministria greke e Emigracionit dhe Azilit publikoi të dhënat e lëshimit të leje-qëndrimeve për emigrantët e huaj që jetojnë në Greqi, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë emigrantët nga Shqipëria.

Sipas të dhënave zyrtare në muajin dhjetor të vitit 2022, në Greqi rezultojnë 285.842 mijë emigrantë shqiptarë të pajisur me leje-qëndrimi, të cilët përbëjnë rreth 60.5% të të huajve me qëndrim të rregullt.

Numri i shqiptarëve me leje-qëndrimi në dhjetor të vitit 2022 ka një rënie të ndjeshme me gati 150.000 persona krahasuar me dhjetorin e vitit 2021 kur në Greqi rezultonin sipas të dhënave të Ministrisë greke të Emigracionit dhe Azilit 435.642 mijë emigrantë shqiptarë me leje-qëndrimi, të cilët përbënin 62.8% të totalit të të huajve me dokumente qëndrimi.

Rënia e ndjeshme e numrit të emigrantëve shqiptarë me dokumente të rregullta në Greqi pas një viti, lidhet sipas analistëve të emigracionit me shumë faktorë.

Procedurat e lëshimit të lejeve të reja të qëndrimit vijojnë të ecin me ngadalësi, ndërkohë që një kategori e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë kanë përfituar dy vitet e fundit nënshtetësinë greke, duke mos aplikuar më në vazhdim për leje qëndrimi.

Por sipas analistëve një faktor madhor në uljen e numrit të shqiptarëve në Greqi lidhet me një dinamikë lëvizjeje të emigrantëve që punonin e jetonin prej vitesh në Greqi drejt vendeve të tjera evropiane.

Sipas analistëve të emigracionit, emigrimi i ri i shqiptarëve të brezit të dytë po ndodh nga Greqia drejt vendeve si Anglia, Gjermania, Holanda dhe disa prej vendeve të Evropës Veriore, pas vështirësive në Greqi me punësimin dhe rritjen e çmimeve.

Me gjithë rënien e ndjeshme, emigrantët shqiptarë vijojnë të kryesojnë edhe në vitin 2022 numrin e të huajve me dokumente qëndrimi në Greqi, duke u pasuar nga kinezët që rezultojnë me 22,951 leje-qëndrimi, të cilat përbëjnë 4,9% të totalit të lejeve të lëshuara dhe gjeorgjianët me 20.002 leje-qëndrime, të cilat përbëjnë 4,2 % të totalit të lejeve të qëndrimit.

Sipas të dhënave zyrtare greke në vitin 2020, shtetasit nga Shqipëria, Kina dhe Pakistani kryesojnë me numrin më të madh të leje-qëndrimeve, ndërsa në vitin 2021 shtetasit nga Shqipëria, Gjeorgjia dhe Pakistani kryesonin listën e vendeve kryesore të emigrantëve të huaj në Greqi, të pajisur me leje-qëndrim.

 


MË SHUME NGA Shqipëri