Celibashi: Regjistrimi i PD për zgjedhjet vendore, në përputhje me ligjin
ATSH
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, regjistrimi i PD për zgjedhjet vendore të 14 majit do të jetë në përputhje me ligjin.
Celibashi tha se, “jemi në proces të verifikimit të dokumenteve të paraqitur nga PD në lidhje me propozimet për anëtarë të KZAZ. Duke shtuar edhe faktin që kemi dy lista, një nga Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD dhe tjetra nga Sefa që është përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ. Situata është e tillë që do duhet të konsultojmë, maksimumi deri më datën 7 mars mbi legjitimitetin e personit që do të duhet të përfaqësojë interesat e PD, më së pari në procesin e regjistrimit si subjekt zgjedhor në KQZ”.
“Ne jemi në këtë situatë edhe pse dikush përpiqet ta lexojë ndryshe, ose mos ta lexojë fare. Vendimmarrja e KQZ-së, e komisionerëve, më pas e KAS-it, po flas për rastin e Komisionerit, të paktën, do të jetë strikt, bazuar në Kodin Zgjedhor”, tha ai.
“Nuk kemi ardhur akoma tek ajo, nëse është e drejtë, apo e gabuar. Në momentin që do të vendosim për këtë, kjo vendimmarrje do të jetë tërësisht në përputhje me parashikimet e ligjit. Do të jetë një vendimmarrje e thjeshtë, nuk kam asnjë drojë”, tha Celibashi.























