Çështja “Gërdeci”, SPAK dërgon për gjykim ish-ministrin Fatmir Mediu
BKT
Shqipëri

Çështja “Gërdeci”, SPAK dërgon për gjykim ish-ministrin Fatmir Mediu

ATSH

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dërgoi për gjykim dosjen e ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”.

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, njoftoi sot se, mbi bazën e vendimit nr.205, datë 24.09.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (që ka vendosur revokimin e vendimit nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu), ka regjistruar procedimin penal nr.279 viti 2021 dhe ka kryer hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se, në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Për procedurën e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u regjistruar procedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


MË SHUME NGA Shqipëri