Peleshi: Shtohet në 73 numri i kontingjentit në Turqi
ATSH
Qeveria miratoi sot vendimin për shtimin e numrit të kontingjentit që po shërbejnë në Turqi.
Në konferencën për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se, “dua të bëjë të ditur vendimin e Këshillit të Ministrave, një vendim qarkullues në fakt para dy ditësh me datën 6, ditën kur në disa zona të Turqisë pati tërmete tragjike, ku ka shkartuar mijëra viktima”.
“Ne jemi përgjigjur menjëherë, përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe ndihmës humanitare duke dërguar aty një kontingjent, i cili kërkon një bazë ligjore një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi bërë një vendim qarkullues, sepse edhe minutat janë të rëndësishme në këto raste, për të shpëtuar jetë njerëzish. Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kemi bërë një ndryshim të këtij vendimi me qëllimin e vetëm për të shtuar numrin, sepse janë dy kontingjente që po shërbejnë në Turqi. Në total janë 73 forca, nga Forcat e Kërkim Shpëtimit, por edhe nga ato të Njësisë Ushtarake të Shëndetësisë. Kemi nisur gjithashtu dhe mjete përkatëse dhe 3 ambulanca që shërbejnë”, theksoi ai.
Peleshi shtoi se, kemi marrë një falënderim publik nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile ku u anëtarësuam vetëm para pak kohësh.
Ai theksoi se, kontributi ynë nuk është modest, por i qenësishëm, sepse janë 73 forca nga më të mirat.
“Rasti e solli që pas anëtarësimit të jepnim dhe jo të merrnim. Jemi në atë mekanizëm edhe për të përfituar nga solidariteti, por edhe për të dhënë kur vjen fjala për të mbështetur edhe vende të tjera. Kontributi ynë nuk është modest, por i qenësishëm sepse janë 73 forca nga më të mirat. Jemi pranë popullit turk dhe po punojmë të shpëtojmë sa më shumë jetë dhe të zbusim sadopak dhimbjen”, tha ai.























