Ndihmëssekretarja Noyes, takime në Shqipëri
rtsh.al
Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Byronë e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit, Julieta Valls Noyes.
E pranishme në këtë takim ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila informoi mbi temat e diskutuara në këtë takim.
“Partneriteti ynë strategjik gjithnjë e më i fortë në kohë sfidash për sigurinë, bashkëpunimi i shkëlqyer në shumë fusha me rëndësi të dorës së parë, sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë që synonin destabilizimin e një vendi demokratik e aleati të NATO-s, dhe asistenca e SHBA-së për ta përballuar sulmin dhe ngritur një sistem mbrojtjeje për të ardhmen, u diskutuan gjerësisht”, tha ajo.
Po ashtu, Spiropali theksoi se vlerësimi dhe mirënjohja për strehimin refugjatëve afganë duke iu garantuar siguri e mirëqenie, si një nga traditat tona më të mira të, dhe vijimi i bashkëpunimit si aleat në kohë krizash, ishin po ashtu në fokus të takimit.
Në një njoftim për shtyp, Ambasada e SHBA-së në Tiranë informoi se përveç kryeministrit Rama, Noyes zhvilloi takime edhe me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka si dhe partnerë të organizatave ndërkombëtare, lidhur me përpjekjet e SHBA për përpunimin të dhënave të refugjatëve.
Ambasada amerikane informoi se ndihmëssekretarja Noyes do vizitojë gjithashtu Shëngjinin gjatë udhëtimit të saj për t’u takuar me afganët që janë në pritje të zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara.























