Kryeministri përgëzon ushtarët e Kosovës për misionin në Turqi
J.Musliu/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka përgëzuar ushtarët e Kosovës që janë në Turqi, duke u dalë në ndihmë qytetarëve të atjeshëm, pas tërmetit shkatërrimtar. Ai i ka përgëzuar ata për guximin, shkathtësinë dhe për suksesin.
Kurti deklaroi se e gjithë Kosova është tronditur nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri që ua mori jetën mbi 12 mijë njerëzve, numër ky që po rritet nga ora në orë.
“Ne ndajmë dhembjen dhe pikëllimin me popujt e prekur, ju shprehim ngushëllime familjarëve të viktimave, u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve, dhe lutemi për jetën e atyre që janë gjallë nën gërmadha’, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai tha se kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Turqi përbëhet nga një tog i kërkim-shpëtimit urban, dy ekipe mjekësore dhe një ekip K9 me tre qen.
“Numri i përgjithshëm i personelit të zbarkuar është 36 pjesëtarë të FSK-së dhe ky kontingjent ka zbarkuar në Republikën e Turqisë me datën 6 shkurt”, u shpreh kryeministri i vendit.
“Ndërkaq nga autoritetet menaxhuese turke ka marrë detyrën të operojë në provincën Hatay të Turqisë jug-lindore. Njësitet e FSK-së në provincën Hatay janë duke zhvilluar operacione të kërkim shpëtimit dhe dhënie të ndihmës së parë mjekësore”.
Gjatë ditës së djeshme, njësitë e specializuara të kërkim shpëtimit urban të FSK-së kanë shpëtuar një vajzë dy vjeçare dhe nënën e saj, dhe janë duke vazhduar operacionin.
“Këto janë kushte shumë të rrezikshme e sfiduese, andaj i përgëzoj ushtarët tanë për guximin, për shkathtësinë dhe për suksesin!”, deklaroi kryeministri.
“ Gjithashtu i përgëzojmë të gjithë ata që po shpëtojnë jetë në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi e në Siri”.























