Procedohen tre persona pas protestës, një prej tyre me uniformë policie
ATSH
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi mbrëmjen e sotme se pas protestës së opozitës janë proceduar tre persona.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit të ditës së sotme, shërbimet e Policisë kanë vijuar monitorimet në terren, për mbarëvajtjen e tubimit dhe për evidentimin e çdo paligjshmërie.
Sipas policisë, gjatë monitorimeve, rreth orës 12:15, në afërsi të dy kullave, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas të veshur me uniformë policie me logo e stema të vjetra, e cila nuk përdoret aktualisht nga shërbimet e Policisë.
“Në momentin e ndalimit për verifikim nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument të vjetër Policie, të dyshuar të falsifikuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, shtetasin G. H., 21 vjeç, banues në Durrës, dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u procedua penalisht, në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftimin për mediet.
Gjithashtu, policia deklaron se janë shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit G. A., 30 vjeç dhe E. Gj., 45 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia shton se vijon puna për evidentimin e personave të tjerë që kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Më herë përfaqësues të PD-së kërkuan lirimin e protestuesve të shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 1 dhe 2 në kryeqytet.
Në prononcimin për mediet para Komisariatit, deputeti Oerd Bylykbashi tha se askush nuk mund të ndalojë qytetarët që kërkojnë të drejtën e tyre.
“Askush nuk mund t’i ndalojë protestuesit shqiptarë që të kërkojnë të drejtën e tyre më themelore që me votë të rrëzojnë një qeveri e cila i vjedh. Sot protestuesit kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm. Edi Rama nuk mund të përdorë represionin policor, apo drejtësinë e kontrolluar prej tij që tremb shqiptarët, tha Bylykbashi.























