Prishtina kërkon përsëritjen e ndeshjes me Dukagjinin
Uran Krasniqi/RTKLive
Prishtina po konsideron se ka pasur shkelje sot në ndeshjen e javës së nëntëmbëdhjetë të Superligës kur ka luajtur me Dukagjinin. Prandaj kërkon që ndeshja të luhet sërish.
Ka qenë minuta e 43’ kur pas një rivënie nga këndi realizoi Pefqeli autogol dhe i dha epërsinë klubit nga Klina. Trajneri i Prishtinës ka protestuar ndaj arbitrit, por megjithatë vendimi i tij ka qenë i pakthyeshëm.
"Në ndeshjen KF Dukagjini – FC Prishtina pati shkelje flagrante të rregullores së garave. Në minutën e 40-të të ndeshjes, pas një rivënie nga këndi për vendasit, gjatë harkimit dhe derisa topi ishte në lartësinë e madhe, gjyqtari kryesor i takimit, Mentor Ajeti, sinjalizoi gjuajtje të lirë në favor të Prishtinës, futbollistët e së cilës ndalet dhe ndërkohë ky top përfundon në rrjetë. Çuditërisht, pas intervenimit të sistemit VAR, konkretisht gjyqtarit, Ilir Mehmeti, arbitri kryesor i ndeshjes, Mentor Ajeti e pranon golin si të rregullt!. Konstatojmë që kjo është shkelje flagrante e rregullave të lojës.Andaj, kërkojmë që NDESHJA TË PËRSËRITET", ka shkruar klubi kryeqytetas. "Po ashtu, duke e parë që si klub nuk jemi në një vijë me udhëheqjen aktuale të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ne nuk kemi qenë të kënaqur as me gjykimin e ndeshjes së para një jave për Kupë, po ashtu me Dukagjinin, e nuk kemi qenë të kënaqur as në shumë ndeshje tjera, duke konstatuar anime për kundërshtarët, por si klub kemi vendosur të heshtim dhe të marrim për bazë pozitën e klubit tonë karshi organizatës së futbollit".
Prishtina ka kërkuar që ndaj gjyqtarit kryesor, Mentor Ajeti, gjyqtarit kryesor të VAR-it, Ilir Mehmeti, të merren masat më drastike që i parasheh rregullorja e garave.
"Duam të besojmë që kontrollori e ndeshjes, Besfort Kosumi, ka notuar sipas meritës, nëse jo, na shtyn të mendojmë që gjithçka ka qenë e aranzhuar që më parë. Andaj, ne presim vendime meritore ndaj akterëve të ndeshjes së sotme, me besimin e plotë që e drejta është në anën tonë dhe ndeshja do të përsëritet dhe të gjejë epilogun real të saj", ka theksuar klubi kryeqyetas.
Sipas Prishtinës, nëse organet e FFK-së nuk marrin vendim konform akteve normative dhe rregullave esenciale të garave, atëherë FC Prishtina do të jetë e detyruar të bëjë Kallëzim Penal pranë organeve të drejtësisë në drejtim të dy gjyqtarëve të lartcekur.
"FC Prishtina gjithashtu nesër (13.02.2023) do ta deponojë ankesën sipas të drejtës për ankesë për ndeshjen e zhvilluar në Klinë", ka theksuar klubi nga kryeqyteti.
Me këtë humbje Prishtina qëndron në vendin e katërt me 27 pikë, kurse Dukagjini ngjiten në vendin e pestë me 25 sosh.























