Ndërpritet debati parlamentar, opozita kërkon që Kurti të jetë prezent
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Ndërpritet debati parlamentar, opozita kërkon që Kurti të jetë prezent

Afet Bela/ RTKlive

(E plotësuar, ora 17:30) Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë debatin parlamentar rreth zhvillimeve të fundit në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për shkak se opozita kërkoi që kryeministri Albin Kurti të jetë prezentë gjatë debatit në Kuvend.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se debati është kërkuar nga opozita dhe në vend të Kurtit në seancë është zëvendëskryeministri i Kosovës, që është i ngarkuar me dialog. Ajo tha se kryeministri Albin Kurti është në një takim, raporton RTKlive.

Por opozita insistoi se nuk është në rregull që të ketë debat parlamentar rreth zhvillimeve të fundit në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në Kuvendin e Kosovës, pa prezencën e shefit të ekzekutivit.

Kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci, tha se për vazhdimin e seancës së re do të vendos kryesia.

Kurti: E kam bërë të qartë se Kosova s`pranon dialog pa marrëveshje finale

V. Thaçi / RTKlive

Në vazhdim të seancës së sotme Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut, të lehtësuar nga BE mbi bazën e dy qëllimeve fillestare:

E para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështje potencialisht kontestuese mes dy palëve në fushëveprimin e dialogut, qëndrimi ynë ishte maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra atyre të nënshkruara para ardhjes në Qeveri dhe 2. Hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë”, tha Kurti .

Sipas tij si rezultat i qasjes fillestare dhe kujdesit të Qeverisë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Evropian Josef Borell, për herë të parë në më shumë se 12 vite dialog pranoj të bëj hapin e madh atë të ftesës së datës 18 gusht 2022 ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore: Një korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe dy, çështjet aktuale.

“Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën  e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke, e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo në çështje të brendshme siç ishte praktika e mëhershme para ardhjes sonë në Qeveri, pra jo dialog për dialog, jo dialog për menaxhim krize”, tha kryeministri Kurti.

Kurse Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se procesi i dialogut Kosovë – Serbi nuk është një proces që ka shëmbëlltyrë pozitive dhe as sukses për tu krenuar.

“Nëse vlerësohet në blloqe kohore ky proces ka nisur si teknik”, tha ajo duke shtuar se faza më e rënd dhe e rrezikshme e procesit negociator mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar prej vitit 2017 që sipas saj është ideja e shkëmbimit territorial.

“Me këtë ide që dy palët duhet të japin diçka nga viti 2017 e kemi fazën më të vështirë të dialogut, idenë e shkëmbimit territorial”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo tha se veprimet e mëhershme të qeverive kanë prodhuar vështirësi të mëdha.

“Është detyrë e kësaj qeverie që të veprojë në interes të Kosovës në çdo rrethanë, në çdo situatë e me çdo mjet”, tha Kusari-Lila.

Haradinaj e përkrah propozimin evropian

E.Hoti / RTKlive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi të hënën se pajtohet dhe e përkrah propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj tha në Kuvend se Kosova e ka konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se plani franko-gjerman, e përfshin përkrahjen amerikane për Partneritet për Paqe dhe rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s.

 “Kemi konfirmim direkt prej amerikanëve që do të përkrahemi për Partneritet për Paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s, që është një proces deri te ftesa për anëtarësim. Për mua plani franko- gjerman është i pranueshëm, përkrahet prej meje dhe prej aleancës. Kjo ka të bëjë me komponentin kryesor të ekzistencës sonë, ecjen drejt NATO-s”, tha Haradinaj.

Sipas tij, përderisa nuk kemi hyrë në rresht në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n , Kosova nuk është e sigurt.

“Nuk është e sigurt ajo që kemi krijuar dhe e kemi arritur deri këtu.Me këtë zhbllokohen proceset tona me BE-në, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura me BE-në, e cila aktualisht nuk ka një status të qartë. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë për anëtarësim atje, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”, u shpreh kryetari i AAK-së.

Haradinaj tha se rritja e prezencës amerikane në Ballkan, vendosja e vendkomandave, ngritja e bazave të reja dhe përkrahja e forcimit të FSK-së, është komponent që tregon se Kosova po shkon në rresht me Amerikën, kah NATO-ja.

“Kosova jo ta kthejë veten në palën humbëse dhe ta vlerësojë veten si pala që nuk ka kryer punë. Unë besoj që ne duhet të sillemi ndryshe. Për ne kjo është finale, kjo është marrëveshja finale me Serbinë. Nuk do të ketë më marrëveshje me Serbinë. Kjo është ndarja finale “, tha ai.

Abdixhiku kërkon transparencë të plotë në dialog, përmend edhe Luginën

E.Hoti / RTKlive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se gjatë dy javëve të fundit kjo parti ka provuare të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

 Abdixhiku ka thënë se mungesa e raportimeve të kryeministrit para shkuarjes në Bruksel, e pas raundeve dialoguese atje është bërë jo vetëm praktikë e pa precedentë, por njëkohësisht edhe refuzim i institucionit më të lartë të vendit .

“Raportimi i kryeministrit në Kuvend ndodh sot për herë të parë në dy vite udhëheqje të tij. Kaq pak transparencë, e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, pozitë e opozitë pa dallim nuk ka mundur të tregojë askush asnjëherë”, tha ai. 

Sipas tij, është e rëndësishme të kuptojmë dy zhvillime thelbësore që lidhen me procesin e dialogut, që nga ardhja e kryeministrit Kurti në pushtet.

“I pari është i brendshëm dhe ka të bëjë më pritjet dhe veprimet e tij, dhe i dyti ndërsa është  i jashtëm ka të bëjë me pozicionet ndërkombëtare ndaj Kosovës, pozicion shpeshherë i ndikuar nga vet veprimet e kryeministrit të Kosovës.  Dhe tek zhvillimet e brendshme, nuk e kam fjalën për pjesën parimore të këtyre që udhëheqin sot, pjesë që u thye pa nisur ende mirë, nuk e kam fjalën për kërkim faljen para dialogut, reciprocitetin para bisedimeve, apo edhe prioritizimin fundorë të vet dialogut. Në tema shtetërore, ato mbesin krejtësisht të parëndësishme  përtej cilësive dhe kredibilitetit me natyrën e ndërtuesve të kauzave politike. Fjalën e kam për pozicionet zyrtare të institucioneve të Kosovës dhe mënyrën se si këto pozicione dhe rrjedhimisht interesa shoqërore janë dëmtuar në proces. Dhe sot në fjalimin e kryeministrit e kuptuam këtë dëmtim të rëndë në procesin dialogues”, tha ai.

Për Abdixhikun, kryeministri në Kuvend ka qenë i paqartë.“Në njërën anë thotë se ka një draft të dytë, të cilin e ftoj, ndonëse e elaboroi si frymë, ta shpërndajë te deputetët e Kuvendit meqenëse e ka pranuar në parim. A është dokument ‘merre ose leje’ por njëkohësisht e ka pranuar si bazë të mirë. Tani s’mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është ‘merre ose leje’”, thotë kryetari i LDK-së.

Për LDK-në, sipas Abdixhikut, Asociacioni duhet të bëhet sipas interpretimit kushtetues. “Dhe ky interpretim kushtetues i heq të gjitha elementet e frikës që mund t’i kemi të gjithë”, konsideron ai.

Në këtë debat në Kuvend, kryetari LDK-së thotë se pozicioni i kryemninistrit, dhe së këndejmi i Republikës së Kosovës është i qartësuar në 6 kapituj, që qëllim kanë arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, me njohjen në qendër të saj, sikurse dhe kompenzimin e dëmeve të luftës, rishikimin e marrëveshjeve paraprake, e reciprocitetin e potë të drejtave për serbët në Kosovë e për shqiptarët në Luginë. “Këto ishin pra pozicione të 6 kapituj, 6 pozicionet e tij, 6 muaj më parë”. tha ai.

Krasniqi: Dialogu me njohje, fjali që përmbledh interesin tonë

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,  Memli Krasniqi ka thënë se seanca e sotme e ftuar nga  opozita, nuk ka karakter të përplasjes, por të informimit legjitim se çfarë po ndodh në dialog, dhe se cili është pozicioni i Qeverisë përballë zhvillimeve të fundit.

Krasniqi ka thënë se dialog me epilog, me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, është fjalia bazë që e përmbledh interesin shtetëror dhe konsensusin politik rreth asaj se çka do të duhej të arrihej nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve.

“Se jemi nisur kësaj rruge kjo ka qenë evidente tash e sa vite. Se ku kemi mbërritur dhe a jemi sot më larg , apo më afër nga ky qëllim do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta kishte ftuar opozitën në Kuvend për një diskutim të hapur e transparent që të na njoftonte në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut. Çdo qeveri e përgjegjshme një temë të tillë kaq të rëndësishme do duhej ta shtronte në një rrafsh shoqëror, shtetëror e kombëtar, e më së paku partiak e polarizues. Përballë Serbisë e aspiratave të saj mes nesh nuk ka dallime”, tha ai.

 Krasniqi  ka kërkuar të dijë se cila është përmbajtja dhe aranzhmanet që ofrohen me propozimin franko- gjerman për dialogun.

“ Ne si PDK qëndrimet i kemi të njohura e konsistente, historikisht korrekte, kombtarisht të drejta dhe institucionalisht të qëndrueshme”, tha ai.

Ligjvënësit në seancë plenare, debatojnë për dialogun Kosovë - Serbi

Kuvendi i Kosovës po mbanë debat parlamentar rreth zhvillimeve të fundit në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

 Ku debat vjen pasi kryeministri Albin Kurti në parim i ka dhënë në parim mbështetje planit franko-gjerman, duke e konsideruar si bazë të mitë për zhvillimet e mëtejshme të dialogut.  

E në seancën e 2 shkurtit kryeministri Kurti, ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive e të zbatohet pas marrëveshjes finale.


MË SHUME NGA Lajme