Sonte fillon faza me eliminim direkt në Ligën e Kampionëve
BKT
Sport

Sonte fillon faza me eliminim direkt në Ligën e Kampionëve

B. H. / RTKlive

Pas një pauze prej tre muajsh, futbolldashësit do të mund të shijojnë sërish kompeticionin më të fortë të klubeve në botë, Ligën e Kampionëve. 1/8 e finales do të hapet me ndeshjet PSG-Bayern Munich dhe Milan-Tottenham, të cilat zhvillohen sonte.

Dueli ndërmjet PSG-së dhe Bayernit vlerësohet si derbi i kësaj faze. Të dyja këto klube kanë hyrë në këtë kompeticion me ambicie për ta fituar trofeun, por tanimë njëra prej tyre do t’i japë fund rrugëtimit drejt këtij qëllimi në këtë fazë të hershme.

Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier ka probleme me lëndimet e lojtarëve, pasi skuadra me gjasë nuk do të ketë në dispozicion Kylian Mbappen, ndërsa Lionel Messi pritet të jetë gati për ndeshjen. Mediat në Francë shkruajnë se Mbappe mund të jetë në mesin e rezervave, por edhe se nëse i jepet mundësia për të luajtur, kjo nuk do të ndodhë para minutës së 70-të.

PSG është mposhtur katër herë në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kampionët e Francës humbën 3:1 si mysafir ndaj Monacos në kampionatin francez të shtunën, por ende janë në pozitën e parë, me 54 pikë.

Në anën tjetër, Bayerni, të shtunën, e ka mposhtur Bochumin me rezultat 3:0 në kuadër të xhiros së 20-të të Bundesligës. Në pesë ndeshjet e fundit në Bundesligë, klubi nga Munihu ka fituar dy herë, dhe ka luajtur baras tre herë. Bayerni është në vendin e parë në tabelë me 43 pikë, një më shumë se Union Berlin. Bavarezët në këtë ndeshje do të jenë pa Sadio Mane.

 

Ndeshja mes PSG-së dhe Bayernit fillon në orën 21:00 në Paris. Ndeshja e kthimit është planifikuar të zhvillohet më 8 mars në Munih.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo ndërmjet Milan dheTottenham, që po ashtu nisë në orën 21:00 në “San Siro” të Milanos.

Kampionët e Italisë mundën 1:0 Torinon në Serie A tre ditë më parë dhe i dhanë fund një serie prej katër humbjesh në të gjitha garat. Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli ka thënë se kjo ndeshje vjen në kohën e duhur për skuadrën e tij, duke pasur parasysh se ka lënë prapa shpinës një periudhë të keqe. Ndërkaq, Tottenham hyn në ndeshjen kundër Milanit pas tri humbjeve në pesë ndeshjet e fundit në Premier League. Trajneri i Tottenham, Antonio Conte është duke pasur probleme serioze me skuadrën e tij. Tre lojtarë të rëndësishëm të mesfushës do të jenë të padisponueshëm për këtë ndeshje: Bentacur, Bussima dhe Hoiberg. Ndeshja e kthimit mes Tottenhamit dhe Milanit do të zhvillohet më 8 mars në Londër.

Ndërkohë, të mërkurën luhen edhe dy ndeshje të tjera të 1/8 së finales, ku takohen: Club Brugge – Benfica dhe Borussia Dortmund – Chelsea.

Të martën e 21 shkurtit janë caktuar të zhvillohen ndeshjet: Liverpool – Real dhe Eintracht – Napoli, derisa të mërkurën e 22 shkurtit takohen Leipzig – Manchester City dhe Inter – Porto.