Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, më 2 mars mocioni me Ramën
BKT
Shqipëri

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, më 2 mars mocioni me Ramën

RTSH

Njësoj si edhe në seancat e fundit në Kuvend, as kjo e kësaj të enjte nuk është zhvilluar normalisht.

Edhe pse me 12 deputetë më pak, PD e Rithemelimit krijoi jo pak tensione në seancë, duke bllokuar foltoren dhe duke i rënë bilbilave. Ata akuzuan maxhorancën se po i pret fjalën e lirë, pasi nuk u arrit të gjendej dakordësia për kohën e zhvillimit të mocionit me debat.

Opozita kërkon që debati të zhvillohet me kohë të pakufizuar, teksa kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se propozimi i tyre është për 12 orë. Si pasojë e debateve, drejtuesja e kësaj seance, Ermonela Felaj, e ndërpreu për 10 minuta, megjithatë as ky pushim nuk e qetësoi situatën. Ajo që bie në sy është edhe mungesa, sërish, e kryeminstrit Edi Rama.

12 deputetët të opozitës, Sali Berisha, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Edi Paloka, Tritan Shehu, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Luan Baçi, Ervin Salianji, dhe Bledion Nallbati janë përjashtuar me vendim të Komisionit të Etikës, për shkak të bllokimit të seancave plenare.

PD bëri një ankimim në Kuvend për vendimin e Komisionit të Etikës, duke pretenduar se atyre i janë shkelur të drejtat “në mënyrë të përsëritur”, teksa shtuan se ata duhet të lejohen të marrin pjesë në seancë, deri në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit.

Byroja e Kuvendit u mblodh menjëëherë, duke lënë në fuqi vendimin e përjashtimit të marrë ditën e djeshme nga Komisioni i Etikës për përjashtimin e Berishës, Nokës, Këlliçit dhe Palokës nga seancat plenare. 

Ndërkohë, vetëm votat e maxhorancës, Kuvendi ka miratuar zhvillimin më 2 mars  të mocionit me debat, interpelancës urgjente dhe përgjigjja e pyetjeve me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga opozita, për çështjen McGonigal. Mocioni me debat do të zhvillohet me kohë pa limit.


MË SHUME NGA Shqipëri