Kurti: Fëmijët janë shpresa e Kosovës, që mund çdo pikëllim
BKT
Lajme

Kurti: Fëmijët janë shpresa e Kosovës, që mund çdo pikëllim

M.Miftari/RTKlive

Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës,  u zhvillua aktiviteti: “Ndezja e qirinjve në përkujtim të 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës”.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe krerët institucionalë, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Në këtë aktivitet kryeministri Kurti u shpreh se kjo ngjarje “tregon që pavarësisht dhembjeve humbjeve, vuajtjeve tona, ne jemi bashkë, ne fitojmë, ka shpresë për vendin tonë dhe kjo shpresë jeni ju, fëmijët e Kosovës, i gjithë populli i Republikës sonë”.

“Ju po e mbani nga një qiri në duart tuaja në këtë buzëmbrëmje dhe gjithsej i kemi 1133 qirinj, sepse secili prej këtyre qirinjve tregon për një fëmijë  që është vrarë gjatë luftës e nuk është në mesin tonë, andaj ne ata i kujtojmë dhe ne ata kurrë nuk do t’i harrojmë”, deklaroi, Kurti.

Më tej, kryeministri i vendit porositi fëmijët të mësojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e vendit më mirë sesa ne.

Ndër të tjera kryeministri Kurti përmendi se do të jetësohet memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, do të jetësohet, grupi punues do të kryesohet nga Saranda Bogujevci e cila  është nënkryetari e Kuvendit dhe e cila e ka mbijetuar masakrën e 28 marsit 1999 kur 7 fëmijë nga mosha 2 vjeçe deri në 15 vjec të familjes Bogujevci , Duriçi e Llugaliu u patën pushkatuar në Podujevë nga njësiti policor serb ‘Shkorpionët’”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ne do ta lartësojmë e nderojmë kujtimin për fëmijët të vrarë gjatë luftës, duke punuar pa u ndalur për ta avancuar lirinë dhe demokracinë arsimin dhe shëndetësinë mirëqenien dhe barazinë drejtësinë dhe mbrojtjen e sigurinë, kështu që duke mos guxuar që në të ardhmen t’i prek kush fëmijët tanë.

Osmani: Ju do ta çoni Kosovën drejt sukseseve të reja

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke falënderuar për prezencën e fëmijëve në këtë përvjetor dhe këtë organizim, theksoi se nuk ka gëzim më të madh për ne sesa kur shohim buzëqeshjet në fytyrat e fëmijëve, kur shohim potencialin e jashtëzakonshëm.

Duke përkujtuar flijimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, presidentja e vendit theksoi se kujtimi për ta do të jetojë në zemrat e secilit qytetar të Kosovës, sepse, sikundër ceku ai, kjo ka qenë sakrifica e madhe për lirinë tonë.

“Kur prindërit e fëmijëve të vrarë gjatë luftës të shohin gëzimin e fytyrave të fom,ijëve sot, do ta kuptojnë se gjaku i fëmijëve të tyre nuk ka shkuar huq”, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu

Andaj, shtoi ajo, ne ua kemi borxh këtyre familjeve që dhanë gjithçka që Kosovën ta bëjmë më të zhvilluar, më të suksesshme e më të fuqishme për brezat që vijnë.

Konjufca: Nuk ka kush që do të na ndal

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca teksa përshëndeti të pranishmit duke përkujtuar të kaluarën tonë jo fort të largët.

“Edhe pse kemi kaluar nëpër shumë sakrifica e vuajtje, kur ju shoh kështu të gëzuar, them se nuk ka kush që të mund të na ndalë”, deklaroi Konjufca, teksa shtoi se kështu do ta kuptojmë më së miri se si kemi ardhur deri këtu ku jemi sot.


MË SHUME NGA Lajme