Gazetarët: Shpallja e Pavarësisë, ngjarja më e madhe që kemi përjetuar
Majlinda Doda / Radio Kosova
Gazetarët kanë qenë pjesë e procesit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në forma të ndryshme, në vitin 2008.
15 vjet më parë, në ditën më të rëndësishme për Kosovën, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, gazetarët, në mënyrën më unike, të mbushur me plot emocione, kanë përçuar mesazhin te qytetarët, për të gjithë atë atmosferë që po mbretëronte në Prishtinë e gjetiu, duke bërë që edhe ato ditë të acarta të 17 shkurtit 2008, t’i ngrohin zemrat e shqiptarëve kudo që ishin.
Ngjarja kishte marrë vëmendjen e shumë medieve, vendore, rajonale por edhe të atyre botërore.
Se si e kujtojnë disa nga gazetarët, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe me çfarë kanë qenë të ngarkuar atë ditë, në rrëfimet të ndryshme për Radio Kosovën, gazetarët e intervistuar si Hyrë Tejeci, Alma Lama, Milaim Shefkiu e Violeta Hyseni-Kelmendi, flasin me emocion për përjetimet e asaj dite.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo ngjarje madhore, e pesëmbëdhjetë viteve më parë, ka lënë gjurmë të pashlyer për mbarë kombin shqiptar.
Gazetarët janë ata, që çdo hap të asaj dite, përmes raportimeve të tyre, e kanë përçuar te qytetarët. Radio Kosova atë ditë, ka pasur transmetim të drejtpërdrejtë të programit për 24 orë. Kjo, me arsye që të përcillej sa më mirë ngjarja madhështore e asaj dite. Në çdo cep të vendit, radio ka pasur gazetarët e saj duke mbuluar në përpikëri dhe duke sjell çdo emocion të jashtëm në valët e radios. Një ndër ta është edhe gazetarja e Radio Kosovës, Hyrë Tejeci, e cila atë ditë të 17 shkurtit 2008, ishte ngarkuar që të raportonte për çdo detaj dhe informacion nga Kuvendi. 15 vjet më pas, këtë ditë ajo e përjeton si herën e parë.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo ngjarje madhore, e pesëmbëdhjetë viteve më parë, ka lënë gjurmë të pashlyer për mbarë kombin shqiptar.
Gazetarët janë ata, që çdo hap të asaj dite, përmes raportimeve të tyre, e kanë përçuar te qytetarët. Radio Kosova atë ditë, ka pasur transmetim të drejtpërdrejtë të programit për 24 orë. Kjo, me arsye që të përcillej sa më mirë ngjarja madhështore e asaj dite. Në çdo cep të vendit, radio ka pasur gazetarët e saj duke mbuluar në përpikëri dhe duke sjell çdo emocion të jashtëm në valët e radios. Një ndër ta është edhe gazetarja e Radio Kosovës, Hyrë Tejeci, e cila atë ditë të 17 shkurtit 2008, ishte ngarkuar që të raportonte për çdo detaj dhe informacion nga Kuvendi. 15 vjet më pas, këtë ditë ajo e përjeton si herën e parë.
“Ne gazetarët që kemi punuar atë ditë kemi qenë të privilegjuar, përveç lodhjes që kemi përjetuar. Një ditë me emocione të përziera ka qenë, sepse shumë prej nesh nuk i kemi pasur afër të dashurit tanë që do të donin të ishin pjesë e asaj dite, e në anën tjetër ka qenë një gëzim shumë i madh. Unë kam qenë e angazhuar të raportoja nga qendra e medieve e vendosur te “Hotel Grandi”, sepse kishte një interesim shumë të madh të medieve të huaja, përveç tonave, dhe nuk kishte hapësirë tjetër që t’i zinte gazetarët për të marrë informacione në çdo moment për atë që po ndodhte. At mëngjes ka qenë një ditë e ftohtë, me pak borë, temperaturat nën minus, por rrezonte dielli, sikur e paralajmëronte një ditë jashtëzakonisht të mirë për ne. Erdhëm herët në punë, morëm detyrat, unë isha caktuar që të mbuloja të gjitha zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe të gjithë deklarimet që vinin nga aty”.
Ashtu edhe siç pritej, në orën 15:39, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran. “Ishte një emocion i përzier ndërmjet punës dhe gjendjes shpirtërore”, thotë Tejeci.
“Momentin e shpalljes së pavarësisë rrëqethem edhe sot sesi e kemi përjetuar, ka qenë një moment i mirë, aq i veçantë dhe të gjithë që e kishim ëndërruar, atë ditë, atë lajm, ne gazetarët nuk kemi pasur mundësi ta jepnim, sepse lidhjet kanë qenë të drejtpërdrejta dhe seanca e Kuvendit të Kosovës është transmetuar drejtpërdrejt. Por rrugës, kur po kthehesha në radio te Sheshi “Zahir Pajaziti” ka qenë i mbushur përplot me njerëz, sheshi këtu përball nesh ka qenë përplot nesh, e habitur shumë, e shtangur kam dal nga ndërtesa e Grandit për t’u nis nga Radio, duke parë gjithë atë turmë të njerëzve çfarë feste kanë bërë në shesh. Sa emocion i veçantë! Mbaj mend një grup vlonjat kishte ardhur dhe hidhnin valle para Grandit, e sa festë spontane e të gjithëve. Unë kam qarë duke ardhur në punë. Me të vërtetë ka qenë një emocion shumë i përzier, një moment që e kemi pritur të gjithë pas gjithë asaj çfarë kemi kaluar”.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kishte marrë vëmendje në shtetin amë, Shqipërinë. Përmes dritares së informimit të “Top-Channel”, gazetarja e asaj kohe, Alma Lama, ka përçuar çdo minutë informacionet, emocionet dhe zhvillimet e asaj dite historike për kombin shqiptar. Në rrëfimin e saj për “Radio Kosovën”, Lama thotë se ka qenë në garë me veten e saj, kohën dhe mediet, për të përcjellë çdo zhvillim të Kosovës në Shqipëri.
“Unë si gazetare e asaj kohe që raportoja për “Top Channel”, dhe isha në një garë edhe me vetveten, edhe me kohën dhe me krejt mediet për të raportuar gjërat më interesante që ndodhnin në Kosovë, si në kuadër të festës sesi po pritej ajo dita e pavarësisë për çështjet politike që e shoqëruan shpalljen e pavarësisë. Ka pasur një garë, cili do të ishte flamuri i Kosovës, cili do të ishte himni, kur po shpallej dita e pavarësisë si e festonin qytetarë të ndryshëm si po e prisnin, kështu që edhe unë vrapoja, për të qenë kudo në tërë Kosovën, për ta pasqyruar sa më dinjitoze të gjithë atë që po ndodhte në këtë moment historik. Dita e pavarësisë, ka qenë tepër emocionuese, një ditë e ftoftë, një ftohtë i jashtëzakonshëm por më duket që e gjithë bota kishte zbarkuar në Prishtinë, shqiptarë, media të huaja, të gjitha këto të bënim të kuptoje se kjo është një ditë e papërsëritshme, ishte kurorëzim i gjithë asaj se çfarë kishte ndodhur përgjatë një shekulli.”
Gazetarja Lama, thekson se misioni i saj ka qenë, që ta pasqyronte sa ma mirë Kosovën në të gjitha dimensionet.
“Pas momentit të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi, jam lidhur drejtpërdrejt me “Top Channel” dhe e kam thënë për herë të parë, e konsiderojë veten se nuk jam neutral si gazetare sepse unë jam shqiptare dhe kjo është një ditë shumë e madhe për shqiptarë. Akoma kur shkoj në Shqipëri, ka njerëz që më njohin dhe më kujtojnë sesi e kanë njohur Kosovën nëpërmjet meje. Natyrisht se tanimë kohërat kanë evoluar, mediet bashkëpunojnë dhe lidhjet tani janë më të mëdha por “Top Channel” ishte i vetmi që kishte këtu një lloj dritareje për të parë Kosovën.”
Ndërkaq, gazetari Milaim Shefkiu, që punonte për Agjencinë e Lajmeve “Kosovalive”,e cila atë kohë emetonte program dhe lajme në tri gjuhë, duke folur për Radio Kosovën, 17 shkurtin e 2008-ës, e kujton me ndjenja të përziera. Gazetari Shefkiu thotë se kjo është ngjarja më e madhe që ka përjetuar në jetën e tij.
“Si gazetarë e kishim një barrë të përgjegjësisë për të raportuar në kohë reale për gjëra që po ndodhnin, dhe e dyta si qytetarë që kishim prit me vite të tëra për shpalljen e pavarësisë. Që nga ora 6 të mëngjesit deri në orët e mbrëmjes kemi qenë aktivë për të raportuar çdo ngjarje. Ne si gazetarë në atë kohë ishim sa në Kuvend për të raportuar për ngjarjet politike që zhvilloheshin vazhdimisht aty, sa në shesh për të parë atmosferën. Unë besoj se kemi qenë brezi i gazetarëve që po e kalojmë rubikonin, po e përjetojmë diçka që s’ka përjetuar askush tjetër, dhe sot e asaj dite, mendoj se gazetaria është një zanat fisnik dhe një nga ngjarjet më të mëdha që më ka mbetur në kujtesë, është kjo ngjarja më e madhe që e kam përjetuar dhe që vazhdoj ta ndiej atë.
Në ato ditë të një ftohta të shkurtit, por të ngrohta në zemrën e gjithsecilit për ngjarjen që po zhvillohej, gazetari Shefkiu thotë se lodhja as nuk mund të përmendej.
“Në momentin e shpalljes së pavarësisë, unë kam qenë në shesh duke parë atmosferën se çka po ndodh, tash kur kthehem mbrapa, mendoj që ne gazetarët e kemi bërë detyrën më të mirë që ka mund të ndodhë. Patjetër që kemi festuar atë ditë, por atë festë nuk e kemi ndier shumë sepse është deshtë që ne t’ju tregojmë të tjerëve që edhe ata të festojnë. Ne kemi qenë urë lidhëse ndërmjet institucionit dhe qytetarëve, edhe atyre qytetarëve që nuk kanë pasur mundësi të jenë në shesh. Emocionet janë të përziera dhe jemi brezi që e kemi përjetuar atë ngjarje.”
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, është përcjell me shumë vëmendje edhe nga mediet ndërkombëtare. Gazetarja, Violeta Hyseni- Kelmendi, atë kohë punonte si korrespondente për BBC. Në rrëfimin për Radio Kosovën, ajo thotë se ishin mobilizuar një ekip i korrespodentëve, jo vetëm nga BBC, për të ndihmuar, e për të bërë emisione speciale për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
“Tashmë dihej paraprakisht se data 17 do të ishte data kur zyrtarisht do të shpallej Pavarësia e Kosovës dhe festimet për këtë ditë kishin filluar edhe më herët. Detyra ime kryesore në atë kohë ishte të raportoja se si po e përjetonin shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ishte një nga momentet sfiduese edhe për ne si gazetarë, sepse duhej të përmbaheshim nga emocionet, që të mos ta shprehnim në një formë gëzimin për pavarësinë e Kosovës, dhe për atë që definitivisht Kosova po shkëputej edhe de jure nga Serbia dhe do të njihej ndërkombëtarisht si shteti më i ri në Evropë, por në anën tjetër, duhej që ta ruanin standardet profesionale të raportimit , pra të raportonin në një mënyrë sa më neutrale dhe njëkohësisht të raportonim për reagimet që vinin nga pala serbe për shpalljen e pavarësisë”.
Atë ditë qytetarët po festonin kudo që ishin, dhe në përvojën gazetareske është përvoja më e mirë që kam mundur ta kem si gazetare, thotë gazetarja Hyseni-Kelmendi.
“Sheshi ishte i mbushur me shumë simbole, njerëz që blinin simbole kombëtare, flamurin kuq e zi për festuar, burra, gra, fëmijë, pleq, të rijnë, fëmijë nga të gjitha moshat, të qeshur madje të tillë edhe që qanin duke pritur shpalljen e pavarësisë. Nuk mjaftonte të dëgjonim vetëm atë se çfarë thotë politika, ishte zëri i qytetarëve ajo që duhej të dëgjohej dhe kjo ka qenë detyra ime atë ditë. Mbaj mend se ka qenë një dimër shumë i ftohtë, temperaturat kanë qenë diku minus 10 gradë celsius, natyrisht që lëviznim por ishte një dimër më i ftohtë se tani kur po shënojmë 15 vjetorin e pavarësisë”.
Përkundër lodhjes, emocioneve e raportimeve të njëpasnjëshme, gazetarët thonë se ajo që nuk shlyhet kurrë nga kujtesa e tyre është përjetimi i Shpalljes së Pavarësisë, ngjarje historike për vendin tonë.
Këtë ditë madhështore, ata e quajnë kurorëzim të të gjitha përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Ata theksojnë se e gjithë festa ka kaluar pa asnjë incident, duke dhënë shembull të mirë, se si një popull, e meriton lirinë dhe pavarësinë e vet.























