Historianët: Interesimi i madh i SHBA-së për Kosovën filloi nga viti 1981
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Historianët: Interesimi i madh i SHBA-së për Kosovën filloi nga viti 1981

Pajtim Çuni / Radio Kosova

Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm dhe vendimtar.

Historianë e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se interesimi i madh SHBA-së për Kosovën filloi nga viti 1981, kur doli në pah kërkesa për Kosovën Republikë. Që nga ajo kohë, presidentët amerikanë me veprimet e tyre vulosën fatin e Kosovës së lirë e të pavarur.

Më 4 korrik të vitit të largët 1776, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën pavarësinë. 232 vite pas mëvetësimit të superfuqisë së botës – garantueses së demokracisë, në Evropë, kontinentin e vjetër, Pavarësinë e shpalli Kosova, që më 17 shkurt 2008 u bë shteti më i ri në botë.

Pas copëtimit të Shqipërisë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ashtu si trojet e tjera shqiptare, edhe Kosova mbeti jashtë shteti amë. Që nga ajo kohë, shqiptarët e Kosovës së okupuar në vazhdimësi luftuan dhe u përpoqën për liri e bashkim me Shqipërinë. Thirrjet për Kosovën Republikë u bënë gjithnjë e më të shpeshta që nga demonstratat e 68-ës. Ndonëse Kushtetuta e vitit 1974 e Federatës Jugosllave përmirësoi ndjeshëm pozitën e Kosovës, shqiptarët, të pa kënaqur me trajtimin e pabarabartë brenda federatës, vazhduan me kërkesat për Kosovën Republikë. Kjo zëshëm u kërkua në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981 dhe shumë të tjera më pas, organizuar ndërvite para e pasluftës së fundit me Serbinë.

Zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe pavarësinë nga Serbia, shqiptarët ia kërkuan faktorit ndërkombëtar, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë gjithë viteve të 90-ta. Në emër të qytetarëve të Dardanisë antike, një kërkesë të tillë e pati gjatë gjithë kohës edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidenti historik, Ibrahim Rugova. Kërkesën për pavarësi, Rugova e kishte theksuar edhe në adresimin e parë në Kongresin Amerikan, në vitin 1990.

 “Shqiptarët janë të vendosur që vetëm me demokraci dhe mjete paqësore mund të zgjidhet problemi i Kosovës. E vetmja mundësi është që të hapet dialogu. Po ashtu, shqiptarët insistojnë që krahas demokracisë të kenë edhe autonominë dhe pavarësinë e vet në kuadër të federatës jugosllave”, kishte thënë Rugova, në fjalimin e përmbyllur me fjalët shqipe “miku i mirë njihet në ditë të vështira”.

Pas ndërgjegjësimit të faktorit ndërkombëtar mbi çështjen e Kosovës, përpjekjeve politiko-diplomatike të viteve të 90-ta, luftës gjithëpopullore nën organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimit të NATO-s, në qershor të 99-ës, çlirimi i Kosovës nga Serbia u bë realitet.

Njëjtë si për çlirim, roli i politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte vendimtar dhe jetik edhe për Pavarësinë e Kosovës. Jetësimin e pavarësisë, pa vonesa të mëtutjeshme e kishte paralajmëruar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush , gjatë vizitës në Tiranë, më 10 qershor 2007 – në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Ne do të themi mjaft! Kosova duhet të jetë e pavarur. Koha është tani. Pika e parë është që ne duhet bërë përparime dhe pika e dytë është se rezultati përfundimtar është pavarësia. Për Shtetet e Bashkuara është e pranueshme që në fund të këtij procesi do të jetë një pavarësi e sigurt”, kishte thënë presidenti Bush.

Presidenti Bill Klinton, pati rol kyç në çlirimin e Kosovës dhe vendimin për intervenimin e NATO-s, kundër forcave serbe, më 24 mars 1999.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s, bëmë të gjitha përpjekjet për arritjen e një zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë. Por, Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci dhe Bosnje, zgjodhi agresionin në vend të paqes”, kishte deklaruar Klinton, pas dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve.

Teksa thekson këto por edhe veprimet e tjera të presidentëve amerikanë, historiani Jusuf Buxhovi thotë se që nga Konferenca e Paqes, në vazhdimësi e me interes të madh, SHBA-të e kanë përcjellë çështjen shqiptare dhe atë të Kosovës. Një interesim më i madh filloi nga viti 1981, kur doli në pah kërkesa për Kosovën Republikë, pohon Buxhovi, teksa flet për mbështetjen e SHBA-së, në shtet ndërtimin e Kosovës.

“Pa SHBA-në, as ajo që nga presidenti Ibrahim Rugova e tutje u konceptua si shtet paralel nuk do të ndodhte. SHBA ka pasur ndikim të madh edhe në deklaratën për pavarësi të 2 korrikut. Ndikim të madh ka pasur edhe në Rambuje, ku për herë të parë ngriti çështjen se duhet bërë intervenimi që t’i hapeshin dyert largimit të Serbisë dhe protektoratit ndërkombëtar. Rol jashtëzakonisht të rëndësishëm ka pasur edhe gjatë dhe pas bisedimeve të Vjenës”, tha Buxhovi.

Buxhovi thotë se SHBA, mund të cilësohet si babai i shtetit të Kosovës.

“SHBA-ja, është si të themi, babai i shtetit të Kosovës. Kjo është e shpjegueshme, sepse nga aspekti gjeostrategjik, pas rënies së Murit të Berlinit, Kosova ishte shumë e rëndësishme për SHBA-në, NATO-n dhe integrimet euro-atlantike. Pas Konferencës së Londrës, përkundër asaj se Kosova mbeti jashtë Shqipërisë, shteti amë ishte në simbolikë dhe kjo ka ndikuar që çështja shqiptare të mbetet e hapur deri tek epilogu që mori në vitin 2008”, tha ai.

Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës është i veçantë dhe i pazëvendësueshëm, pohon profesor Zenun Halili, sipas të cilit, pa SHBA-në, pavarësia e Kosovës vështirë se do të ishte e mundur.

“Populli shqiptar i Kosovës ka meritë të jashtëzakonshme për rezistencën e viteve të 90-ta, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo, pa kujdesin e vazhdueshëm, pa interesimin e SHBA-së, qoftë në konferenca ndërkombëtare si Rambuje, apo më vonë gjatë bisedimeve të Vjenës, do të ishte shumë e vështirë që Kosova të bëhej shtet i pavarur dhe sovran, çfarë është sot”, tha ai. 

SHBA-ja është aleati më i besuar Kosovës, thotë Halili, teksa shton se Kosova duhet të ketë kujdes të madh në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me SHBA-në, pasi këto janë jetike për vendin.

Duke pasur parasysh rëndësinë e Shteteve të Bashkuara dhe kujdesin e vazhdueshëm për çështjen e Kosovës, atëherë kosovarët jo padrejtë e lidhën besën e tyre me Shtetet e Bashkuara, pa marrë parasysh ngjyrimet partiake në Uashington apo në Prishtinë. Administratat shkojnë e vijnë, individë të caktuar mund të kenë dallime, mirëpo, SHBA do të qëndrojë në krah të Kosovës dhe Kosova duhet t’i ruajë dhe kultivojë edhe më tutje raportet me SHBA-në.

Historiani Jusuf Buxhovi, po ashtu thotë se Kosova duhet  të ruajë përjetësisht aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova nuk mund të qëndrojë pa mbështetjen e SHBA-së. Natyrisht se kjo është një aleancë ekzistenciale për ne. Pra, rruga jonë duhet të jetë nga aleanca euro-atlantike dhe jo tjetër. Alternativat të tjera janë të dëmshme, rrënuese e antihistorike”, tha ai.

Më 17 shkurt, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, Shtete e Bashkuara të Amerikës pranuan Pavarësinë e Kosovës. Shumë nga 117 njohjet që i erdhën shtetit të Kosovës, janë rezultat i kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për njohjen e Kosovës shtet.


MË SHUME NGA Lajme