Kurti në takim me Birol: Kosova ka potencial për energji të ripërtërishme
M.Sh/RTKlive
Në margjinat e takimit për Siguri në Munih, kryeministri Albin Kurti takoi drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, me të cilin u bisedua për sektorin e energjisë në Kosovë dhe potencialin që Kosova ka në fushën e energjisë së ripërtërishme.
Kryeministri Kurti foli për planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtërishme dhe për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031.
Duke diskutuar për zhvillimet në Kosovë, kryeministri e njoftoi Birol për punën e Qeverisë dhe progresin e shënuar në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, gjë që po dëshmohet nga raportet kredibile ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim kryeministri Kurti ka përmendur mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, si dhe për masat e ndërmarra në rritjen e efiçencës energjetike dhe ruajtjen e çmimit të përballueshëm për qytetarë.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë dhe format e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.























