Osmani takon Presidentin Levits: Anëtarësimi i Kosovës në KE i rëndësishëm
V. Thaçi / RTKlive
(E plotësuar në ora 17:55) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits.
Zyra e presidentes njofton se Osmani ka falënderuar Presidentin Levits për angazhimin e tij dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në skenën ndërkombëtare, përfshirë në proceset e anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se Letonia mbetet mike dhe aleate e fortë e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit Presidentja e informoi Presidentin Levits mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo tha se Kosova vazhdon të kontribuoj në mënyrë aktive në procese të paqes dhe stabilitetit.
“Osmani dhe Presidenti Levits u dakorduan për intensifikim të bashkëpunimit në muajt në vazhdim për ta avancuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Letonia merr zyrtarisht Presidencën që nga muaji maj i këtij viti”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
Osmani në Munih: Kosova, epiqendër e diskutimeve për gratë dhe sigurinë
M.Shefkiu/RTKlive
Për shkak të historisë së Kosovës dhe rolit aktiv të grave ndër vite në procese të paqes dhe lirisë, Kosova mund të shihet fare lehtë si epiqendër e diskutimeve strategjike mbi Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një panel diskutimi në Munih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Konferencën për Sigurinë.
Ajo përmendi edhe rëndësinë e organizimit të Forumit të parë ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili synohet të bëhet një ngjarje tradicionale me qëllim të rrjetëzimit dhe shkëmbimit të shembujve të suksesshëm të implementimit të kësaj agjende anë e mbanë botës.
Presidentja Osmani po merr pjesë në Konferencën në kuadër të Panelit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përkrah zëvendëspresidentes së Republikës së Kolumbisë, Francia Elena Márquez, ministres Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Svenja Schulze, dhe lideres së opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.
Në këtë panel, presidentja Osmani foli për shembullin e jashtëzakonshëm të grave të Kosovës si bartëse dhe pjesëmarrëse aktive në procese historike në Kosovë.
Ajo përmendi aktivizmin e pashoq të grave të Kosovë përgjatë një trajektoreje strategjike në vend, nga koha e rezistencës paqësore të viteve të 90ta, përgjatë luftës çlirimtare, si dhe të gjitha fazat e shtetndërtimit. Më këtë debat ajo tha se gratë e Kosovës janë vetë sinonimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke qenë se ato e kanë jetësuar atë ndër vite.
Duke folur për shembujt e suksesshëm të implementimit të kësaj agjende në Kosovë, presidentja Osmani theksoi se angazhimi ka qenë i gjithanshëm, duke përfshirë rolin e jashtëzakonshëm të shoqërisë civile, por edhe përgjegjshmërinë e lartë institucionale.
Ajo theksoi se janë mbi 20 mijë gra të dhunuara në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi edhe rëndësinë e madhe që ka pas themelimi i Komisionit për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë për të ndihmuar rikuperimin dhe trajtimin e duhur të të mbijetuarave pas përfundimit të luftës.
























