Osmani e Kurti me senatorët amerikanë: SHBA aleate e Kosovës
BKT
Foto: Presidentja Vjosa Osmani/Twitter
Lajme

Osmani e Kurti me senatorët amerikanë: SHBA aleate e Kosovës

M.Shefkiu/RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në dy takime të ndara në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, kanë takuar senatoret amerikanë, Bob Menendez, Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen, nga të cilët kanë marrë mbështetje për Kosovën.

E para presidentja Osmani ka takuar senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin amerikan nga New Jersey, Bob Menendez.

“E falënderoj senatoret Shaheen për angazhimin dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës. Vendosmëria jonë për të thelluar më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë strategjik është bërë më e fortë me SHBA-në”, thotë Osmani në Twitter pas takimit me Shaheen.

Po ashtu Osmani ka takuar më vonë edhe senatorin Menendez. “E falënderova për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”, ka shkruar Osmani

Ndërsa kryeministri Kurti nëpërmjet një komunikate për media, raporton për takimin me senatorët Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.

“Raportet bilaterale dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ritheksuan në takimin ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen. Kryeministri falënderoi senatorët Shaheen dhe Van Hollen për ndihmën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të tyre dhe të ShBA-ve për Kosovën”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në këtë takim thuhet se diskutuan për përparimin e shënuar në sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, demokratizim të institucioneve dhe zhvillim ekonomik. E gjithashtu edhe për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Sa i përket dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, kryeministri Kurti theksoi angazhimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm të Kosovës në këtë proces, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme