Kurti takohet me Borrell e Lajçak, flasin për takimin e radhës në Bruksel
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit Kurti
Lajme

Kurti takohet me Borrell e Lajçak, flasin për takimin e radhës në Bruksel

V. Thaçi / RTKlive

(E plotësuar 20: 30) Në kuadër të Konferencës së Mynihut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák, njofton ekzekutivi përmes një komunikate për media

Sipas njoftimit në këtë takim u diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia. Po ashtu u fol për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian.​

Kurti falënderon senatorin Menendez për mbështetjen e tij ndaj Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Senatori amerikan Bob Menendez, njëherësh Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë, diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në takimin e mbajtur sot në kuadër të Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e  deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit.

Tutje në njoftim thuhet se po ashtu Kurti e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan, dhe se ata folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit.

Kurti dhe Drejtoresha e Europolit diskutuan për vijimin e luftës kundër korrupsionit

Me Drejtoren Ekzekutive të Europol-it, Catherine De Bolle, në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të rendit dhe Europol-it dhe suksesin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë dy viteve të fundit Policia e Kosovë ka zhvilluar 854 operacione policore, ku janë arrestuar 3202 persona, prej të cilëve 301 zyrtarë shtetërorë. Në dy vite qeverisje janë konfiskuar gjithsej 1.8 ton substanca narkotike, nga të cilat 400 kilogram në vitin 2021, si rezultat i operacionit të përbashkët me DEA-n amerikane dhe autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë, veçoi kryeministri.

Vendi ynë është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, për 17 vende në indeksin e Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufi, dhe për të dytin vit radhazi është renditur e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, nënvizoi kryeministri.

Ai tha se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa sundim të ligjit, dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për më shumë bashkëpunim me Europol-in kundër krimit të organizuar, me theks në luftën kundër kontrabandës, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe në siguri kibernetike.

Drejtorja Ekzekutive e Europol-it, De Bolle, u shpreh e kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Europol, që ia mundëson Kosovës emërimin e një zyrtari të zyrës ndërlidhëse në Europol dhe krijon kanal të sigurtë të komunikimit dhe shkëmbimit të informacioneve. Po ashtu edhe me pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe kontributin e Policisë së Kosovës në aktivitete të përbashkëta me Europol-in dhe EMPACT. Me këtë të fundit, znj. De Bolle theksoi se bashkëpunimi është katërfishuar.


MË SHUME NGA Lajme