Kurti takoi kryeministren e Lituanisë, diskutojnë për sigurinë rajonale
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti takoi kryeministren e Lituanisë, diskutojnë për sigurinë rajonale

M.Shefkiu/RTKlive

(E plotësuar 14:30) Në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Munih, kryeministri Albin Kurti takoi Kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte të cilën e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe integrimin Euro-Atlantik.

Në këtë takim të parë bilateral, kryeministrit Kurti dhe homologia Simonyte, u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kurti pranoi urimet e kryeministres lituaneze me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Kurti takon Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, Deutch

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë, është takuar me Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, dhe ish- kongresistin amerikan, Theodore Deutch.

I pari i Qeverisë së Kosovës, foli për arritjet kryesore të qeverisë në këto dy vite. Për progresin ekonomik dhe demokratik, suksesin në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në raportet ndërkombëtare dhe reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit, që kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e imazhit të vendit.

Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti shtoi se Kosova ofron mundësi dhe mjedis të favorshëm për investitorë të huaj, duke ftuar kështu kompanitë izraelite që të eksplorojnë mundësitë për investime në Kosovë.

Ndërkaq, Deutch e uroi kryeministrin Kurti dhe popullin e Kosovës për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ai u shpreh mirënjohës për marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Si Komitet, ai tha se mbështesin Kosovën në synimet e saj dhe se janë të gatshëm dhe të vullnetshëm për bashkëpunim.

Kurti takoi sekretarin e INTERPOL-it: Kosova e përkushtuar për shtet ligjor

(E plotësuar) Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa sundim të ligjit, ndërsa Kosova është e përkushtuar për shtet ligjor dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në një takim që zhvilloi në Munih me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock.

Luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe angazhimi i institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, ishin temat kryesore të këtij diskutimi, njofton Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar përgjatë dy viteve të fundit dhe për bashkëpunimin frytdhënës me shtete dhe organizata partnere në luftimin e krimit të organizuar trans-nacional.

Kujtojmë se ky takim u zhvillua në Munih të Gjermanisë ku kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë.


MË SHUME NGA Lajme