Kurti u takua me kongresistë amerikanë, i njofton me punën e Qeverisë
V. Thaçi / RTKlive
(E plotësuar 22:00)Gjatë ditës së dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.
Ai i njoftoi kongresistët me punën e Qeverisë dhe planet përpara, arritjet më të shënuara në sundimin e ligjit dhe progresin në rrafshin ekonomik.
Diskutuan për implikimet që ka pasur dhe rreziqet që vazhdon t’i paraqes invazioni dhe agresioni Rus në Ukrainë për kontinentin, në veçanti për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri theksoi që reagimi dhe rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dënimin dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ka qenë i menjëhershëm.
Kongresistët shprehën interesim për procesin e dialogut në Bruksel dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri ndau me ta qëndrimet e Qeverisë, duke theksuar që ai e konsideron të pranueshëm propozimin evropian si bazë të mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Tajani: Kosova ka mbështetjen e Italisë për dialogun Kosovë-Serbi
Zëvendëskryeministri italian dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ku ka rikonfirmuar përkushtimin e Italisë për dialog konstruktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e falënderoi zëvendëskryeministrin Tajani për mbështetjen e Italisë, bashkëpunimin e afërt ndër vite dhe kontributin e vazhdueshëm për demokratizim dhe zhvillim të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ata diskutuan për mënyrat e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Gjithashtu folën për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj, përkatësisht Italian dhe për përfitimet që mund të sjellë për të dy vendet forumi ekonomik italian në Kosovë, e i cili pritet të organizohet gjatë këtij viti.
Përveç bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, biseduan edhe për format e bashkëpunimit bilateral në fusha tjera si ajo e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në takim gjithashtu u diskutua edhe për procesin e dialogut dhe për propozimin evropian që krahas Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetjen edhe të Italisë.
Po ashtu Kryeministri Kurti, ka takuar edhe Kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson, ku biseduan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.
Njoftohet se gjatë takimit Kurti ka njoftuar kryeministrin suedez për progresin e arritur në sundimin e ligjit dhe për indikatorët ekonomikë dhe demokratik që dëshmohen edhe nga raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë raportin e BE-së për vendin.
Folën për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, dhe për rëndësinë e integrimit të mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen ndër vite dhe të vazhdueshme të Suedisë për Kosovën dhe për ndihmën ndaj institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës përmes projekteve të ndryshme të financuara nga Ambasada e Suedisë në Kosovë.























