Kudus, gol për Atsu
RTSH
Nuk ndodh shpesh të flitet për gjeste të bukura dhe Fair-Play në fushë. Akoma më pak kur bëhet fjalë për lojtarë dhe arbitra.
Gjatë ndeshjes së kampionatit holandez, në Eredevize, Ajaks – Sparta Roterdam, Muhamed Kudus ka shënuar nga goditja e dënimit dhe për të festuar ka shfaqur një fanellë të dedikuar bashkatdhetarit të tij, Atsu, i ndarë nga jeta për shkak të tërmetit në Turqi. Futbollisti në fjalë është gjendur pas shumë ditësh nën rrënojat e banesës ku jetonte pas lajmeve të ndryshme, madje dhe të rreme, për shpresat se mund ta gjenin dhe të gjallë. Në çdo mënyrë është veprimi i Kudus që ka qenë shumë domethënës dhe i vlerësuar nga të gjithë, madje i parë dhe nga gjyqtari i ndeshjes.
Në fakt, gjyqtari, me rregullore, i është afruar për ta ndëshkuar, por pasi ka lexuar mbishkrimin në fanellën e bardhë ka vendosur për të mos ia dhënë kartonin e verdhë. Për të konfirmuar gjithçka ka qenë vetë lojtari, i cili në përfundim të ndeshjes ka thënë: “Sigurisht që ka rregulla, por kjo shkon përtej futbollit. Arbitri më tha që rregullorja nuk e lejonte, por ishte ai që kuptoi situatën e krijuar”. Këto ishin fjalët e futbollistit të Ajaks.























