Son merr mbështetje nga Tottenham pas sulmeve raciste
RTSH
Një fitore e rëndësishme për Tottenham, ajo e marrë ndaj West Ham të dielën në shifrat 2-0.
Një sukses që i vendos "Spursat" për momentin në vendin e katërt në renditje që vlen dhe për të shkuar sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Por në fakt, mbrëmja e së dielës nuk ka qenë e mbushur plot me trëndafila e lule. Son Heung-Min, një nga shënuesit e golave në ndeshje, ka qenë viktimë e sulmeve me sfond racist, të cilat, në fakt, kanë ardhur nëpërmjet rrjeteve sociale. Për t’i konfirmuar ka qenë edhe vetë klubi i Totenhemit nëpërmjet një deklarate për shtyp: “Jemi njohur për sulmet raciste në internet, të cilat i janë drejtuar Son pas ndeshjes ndaj West Ham. Mbështesim Sonin dhe u kërkojmë edhe një herë tjetër rrjeteve sociale dhe autoriteteve që të marrin masat ndëshkimore për të gjithë hartuesit e këtyre sulmeve”.
Këto janë fjalët e klubit anglez në mbrojtje të lojtarit të tyre që në këtë sezon ka luajtur 23 ndeshje, teksa ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë tre asiste. Do të shohim se nëse do të ketë masa ndëshkimore, edhe pse për rrjetet sociale është gjithmonë e komplikuar të vendosësh nën frena disa sjellje, të cilat nuk duhet të ndodhin.























