Opozita me akuza ndaj ministres Rizvanolli|Video
Valjeta Shala /RTK
Për performancën e ndërmarrjeve publike gjatë vitit 2021 është diskutuar të martën në Komisionin Parlamentar për Ekonomi ku ka raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ndërkohë, anëtarët e komisionit nga opozita e kanë kritikuar ministren për punësime mbi baza partiake, e në anën tjetër vet ministrja Rizvanolli tha se Qeveria ka vendosur standarde në këtë drejtim.
Ajo gjatë raportimit në Komisioni për Ekonomi për punën e Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021, tha se shumë ndërmarrje publike i kishin gjetur në gjendje jo të mirë dhe se për këtë kishin ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Diskutimi nuk vazhdoi rreth punës së ndërmarrjeve politike, por debati kaloi rreth punësimeve mbi baza nepotizmi dhe partiake.
Ferat Shala kryetar i këtij komisioni nga radhët e PDK-së i tha ministres se derisa ju po ktheheni në të kaluarën, ndërkohë që emërimi i bordeve bëhet direkt nga Qeveria.
“Nëse thoni që në të kaluarën ka ndodh ashtu, atëherë sot kryeministri në zyrën e tij cakton emërime të bordeve”, tha Shala.
Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila nga Grupi Parlamentar i LVV-së e ka kundërshtuar një gjë të tillë
“Nuk ka ndodh në mandatin tonë punësime partiake”, ishte e prerë Kusari-Lila.
Kurse Pal Lekaj deputet i AAK-së tha se ka punësime të militantëve në borde duke përmendur këtu edhe emra.
“Është në bordin e Ibër-Lepencit dhe është militant në partinë e VV-së. Të më thuani këtu se i keni ndalur punësimet partiake është për të ardhur keq, për këtë duhet të shkoni në shtëpi”, tha lekaj i AAK-së.
E ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli duke folur rreth procedurave të rekrutimit për borde, tashmë kanë vendosur standarde të reja.
“Konsideroj që sa i përket procedurave të rekrutimit të bordit, kemi vendosur standarde të reja, larg qeverive të kaluara", tha ministrja Rizvanolli
Me gjithë kritikat ndërmjet palëve në komision, raporti për vitin 2021 u votua me shumicë votash.























