Rama me homologun japonez: Të mundësohet lëvizja pa viza!
RTK
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare 4-ditore në Tokyo, Kryeministri Rama është takuar me homologun e Japonisë Fumio Kishida. Gjatë takimit bilateral, dyshja ka rikonfirmuar qëndrimin për dënimin e agresionit rus në Ukrainë.
Pas takimit, Rama dhe Kishida kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Kryeministri Japonez ka bërë me dije se së shpejti do të vizitojë Tiranën, ndërsa theksoi më tej se Shqipëria është faktor stabiliteti në Ballkan.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama vuri theksin te rritja e bashkëpunimeve mes dy vendeve, ndërsa u shpreh se qeveria japoneze duhet të mundësojë udhëtimin pa viza të shqiptarëve në Japoni.
“Të shikojmë më shumë bashkëpunime mes vendeve. Ne kemi distancë gjeografike, jemi të ndryshëm! Ju të pasur, ne jo aq. Ne besoj shumë që tani më shumë se dje, është e rëndësishme të jemi pjesë e vlerave. Qeveria japoneze të bëjë të mundur të udhëtojmë pa viza në Japoni. Faleminderit nga zemra kryeministrit që ishte kaq mikëpritës në vizitën në Tokyo”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama gjatë vizitës zyrtare 4-ditore në Tokyo, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Japonisë, është pritur në takim edhe nga Kryetari i Kuvendit Hiroyuki Hosoda dhe grupi parlamentar i miqësisë Japoni-Shqipëri.
Në këtë vizitë zyrtare 4-ditore në Japoni, kryeministri Rama shoqërohet nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi.























