Drita thellon krizën e Prishtinës, fiton edhe Gjilani
BKT
Sport

Drita thellon krizën e Prishtinës, fiton edhe Gjilani

B. H. / RTKlive

Drita e ka fituar derbin e javës së 21-të në Superligë. Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaçi ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim në “Sami Kelmendi” në Lipjan, duke e mposhtur Prishtinën, me rezultat 2:1.

Të parët në epërsi kaluan kryeqytetasit, me golin e amerikanit  Jalen Aleix Blesan, në minutën e 34-t. Shifrat në 1:1 i barazoi ish-mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi nga penalltia, në minutën e 43-të, pasi paraprakisht portieri Nika shkaktoi ndërhyrje të palejueshme. Ndërkohë, golin e fitores për Dritën e realizoi Blend Baftiu, në minutën e 48-të. Mysafirët patën edhe disa raste tjera shënimi, madje dy herë qëlluan edhe shtyllën.

Fitore si mysafir ka realizuar edhe Gjilani, që e ka mposhtur Drenicën, po ashtu me rezultat 2:1. Golat për skuadrën e Zekirija Ramadanit i shënuan Kelmendi dhe Zabërgja, derisa golin e vetëm për kuqezinjtë e realizoi Dervishaj. Ndeshja e tretë e ditës së sotme, ndërmjet Malishevës dhe Ferizajt u mbyll 1:1. Për skuadrën e Bylbyl Sokolit golin e shënoi Mustafa, kurse ferizajasve një pikë ia siguroi Halili në minutat shtesë të pjesës së parë.