MKRS: Lajmet e konfirmuara e të paanshme, thelbësore për gazetarinë
M.Miftari/ RTKLive
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar lidhur me artikullin tendencioz të publikuar sot në Koha.net që ka të bëjë me Memorandumin e Bashkëpunimit me Radio Televizionin e Kosovës.
Në reagimin e Ministrisë së Kulturës thuhet se përmbajtja e qartë për audiencën, lajmet e konfirmuara dhe të paanshme, nuk kanë qenë kurrë më jetësore.
“Përdorimi i të gjitha burimeve të informacionit është thelbësor në praktikën e gazetarisë dhe, në këtë rast, MKRS, si pala kryesore në këtë proces, nuk është pyetur për qëndrimin e saj”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagimin e Ministrisë së Kulturës bëhet e ditur se për hir të së vërtetës ka paraqitur zotimet kryesore në këtë memorandum, që ka të bëjë me zhvillimin e, si thuhet në memorandum, e produkteve kulturore si: muzikën, vallëzimin, artin, letërsinë, trashëgiminë e filmin, etj.
Synimi i këtij memorandumi, qartëson MKRS në reagim, ka qenë që dokumentimi i punës dhe programit të institucioneve publike të kulturës, me qëllim arkivimin e brendshëm dhe bartjen e këtij programi tek audiencat e gjera, por edhe promovimin e programit të institucioneve të kulturës, organizatave dhe artistëve me qëllim zhvillimin e audiencave kulturore në Kosovë.
Reagimi i plotë të Ministrisë së Kulturës.
REAGIM
Përmbajtja e qartë për audiencën, lajmet e konfirmuara dhe të paanshme, nuk kanë qenë kurrë më jetësore. Përdorimi i të gjitha burimeve të informacionit është thelbësor në praktikën e gazetarisë dhe, në këtë rast, MKRS, si pala kryesore në këtë proces, nuk është pyetur për qëndrimin e saj.
Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar me RTK-në, mundëson që të bëjmë më shumë për të gjithë, duke ndihmuar e zhvilluar produkte kulturore si muzikën, vallëzimin, artin, letërsinë, trashëgiminë e filmin si dhe duke përditësuar qytetarët në kohë reale.
Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare janë:
1. Themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar ekskluzivisht kulturës. Shndërrimi i RTK 4 në RTK Art është vendim i Bordit të RTK, për të cilin ne po ofrojmë mbështetje financiare dhe programore.
2. Organizimi i Festivalit të Këngës, që është parakusht për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurosong.
3. Fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, që ndër të tjera është mundësi punësimi për muzikantët e ri të Kosovës.
4. Mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe projektet e mbështetura të skenës së pavarur nga MKRS. Po ashtu, përcjellja e ngjarjeve të Kalendarit Vjetor Kulturor të cilin e zbatojmë me UP-në dhe institucionet e varësisë, ku janë 150 ngjarje që dokumentojnë dhe nderojnë figurat e artit dhe datat e rëndësishme.
Në asnjë pikë të MoU nuk kërkohet mbulimi i aktivitetit protokollar të ministrit, sepse kjo është kundër parimeve dhe besimeve tona.
Kjo marrëveshje nuk sjell promovim për aktivitetin e ministrit të Kulturës, ashtu siç po aludohet, por sjell mbulim dhe promovim për punët e mijëra punëtorëve të kulturës të institucioneve publike dhe të skenës së pavarur.
Qëllimi është dokumentimi i punës dhe programit të institucioneve publike të kulturës, me qëllim arkivimin e brendshëm dhe bartjen e këtij programi tek audiencat e gjera. Promovimi i programit të institucioneve të kulturës, organizatave dhe artistëve me qëllim zhvillimin e audiencave kulturore në Kosovë.























