Strakosha: Babai është idhulli im, me Shqipërinë shkojmë në Euro 2024
RTSH
Thomas Strakosha tregon mbi karrierën që ka ndërtuar dhe disa detaje “pikante” në lidhje me hapat e parë si profesionist. 27-vjeçari pranon se mund të zgjidhte për të përfaqësuar Greqinë, por rrënjët shqiptare e sollën në Shqipëri dhe me fanellën kuqezi tregon se do pjesëmarrjen në Euro 2024.
“Kur isha i vogël mund të kem parë mbi 1000 herë një videokasetë ku ishin përmbledhur të gjithë pritjet më të bukura të babait tim. Ai ishte një portier përballë të cilit nuk shënoje lehtë”, ka thënë Strakosha.
Ai është ndalur tek përzgjedhja e Shqipërisë.
“E dua, e vlerësoj dhe e respektoj Greqinë, por unë dhe prindërit e mi jemi nga Shqipëria dhe mendoj se është më e përshtatshme të luaj për Kombëtaren Shqiptare. Mund të zgjidhja edhe Greqinë, por unë dhe prindërit e mi i kemi rrënjët në Shqipëri”, ka thënë portieri.
Strakosha ka folur edhe për synimet e Shqipërisë dhe kundërshtarët e grupit për Euro 2024.
“Mendoj se në vitin 2024 mund të jemi sërish në Europian sepse kemi një brez të ri me shumë talente, lojtarë të formuar me mentalitet europian. Polonia është favorite e grupit, por ne duhet të jemi patjetër në vendin e dytë që të kalojmë më tej. Do të jetë turp nëse nuk do të shkojmë në Europian, ne kemi klas”, është shprehur ai.
Ish-futbollisti i Lazios ka folur edhe për Premier Leaguen.
:Kisha ëndërr që të luaja në Angli. Kur mësova se interesohej Brentford për mua nuk mendova dy herë për ta pranuar ofertën”, ka thënë Strakosha. “U transferova ditët e fundit të merkatos dhe më duheshin disa javë që të ambientohesha me klubin dhe shokët e ekipit. Por më pas pësova një dëmtim, i cili më pengoi që të integrohesha siç dëshiroja. Në futboll fati ndikon shumë”.























