Tensione në Kuvend, opozita përsërit skenarin bllokon Foltoren: Duam Ramën!
RTSH
Edhe këtë të enjte opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për praninë e kryeministrit Edi Rama që të japë përgjigje për çështjen McGonigal, edhe pse kryeministri ndodhet për një vizitë zyrtare në Japoni. Një pjesë e deputetëve demokratë të cilët ishin të përjashtuar janë rikthyer sot në seancë plenare pas përfundimit të masës së marrë ndaj tyre.
I njëjti skenar është përsëritur edhe këtë të enjte në dyert e parlamentit, ku deputetët e përjashtuar të PD-së kanë tentuar të hyjnë në sallë ndërkohë që po zhvillohej mbledhja e Byrosë për të shqyrtuar kërkesën e tyre për pezullimin e vendimit të përjashtimit.
Byroja e Kuvendit la në fuqi vendimin e Këshillit të Etikës për përjashtimin e 6 deputetëve që shkaktuan kaos në seancën parlamentare të një jave më parë.
“Vendimi i byrosë, kemi kërkuar që ai vendim që përjashtoi deputetët, të anulohet si antikushtetues, i paligjshëm dhe në shkelje të të drejtave. Me një vendim fashist parlamenti i Shqipërisë, përsëri përjashtoi deputetë të Parlamentit nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë. Mbi 20 deputetë janë përjashtuar në mënyrë të vazhdueshme vetëm sepse kërkojnë një të drejtë kushtetuese në emër të shqiptarëve, kontrolli i qeverisë”, tha Bylykbashi.























