KF Llapi hedh poshtë akuzat për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve
B. H. / RTKlive
KF Llapi ka reaguar ndaj raportimeve të mediave prestigjioze franceze se ky klub është i përfshirë në skandalin e kurdisjes së ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
Klubi llapjan i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në kurdisje, teksa ka thënë se kjo po bëhet për ta njollosur emrin e këtij klubi dhe ka ftuar tifozët që të mos bien pre e këtyre shkrimeve siç i ka quajtur “tendencioze dhe qëllimkëqija”.
“Kryesia i KF Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh. Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllimkeqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës. KF Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siç janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme”, thuhet në reagimin e sotëm të Llapit.
Tutje në reagim thuhet se KF Llapi nuk është aspak i shqetësuar rreth këtyre pretendimeve, të cilat i ka quajtur të pabaza.
“Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Jemi të fokusuar 100% vetëm për ndeshjen me Prishtinën dhe nuk ka forcë që na ndal drejt arritjes së objektivave tona”, thuhet tutje në reagim.
Lajmin për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës e ka publikuar fillimisht gazeta e njohur franceze “Le Figaro”, sipas të cilës organet e hetuesisë në Francë kanë kryer edhe arrestime lidhur me përfshirjen në baste të disa personave. Ndërkaq, gazeta tjetër franceze “Le Parisien”, e ka përmendur KF Llapi, si të dyshuar për kurdisjen e ndeshjeve në elitën e futbollit kosovar në edicionin e kaluar.























