FFK e gatshme për të hetuar pretendimet për kurdisje të ndeshjeve
BKT
Sport

FFK e gatshme për të hetuar pretendimet për kurdisje të ndeshjeve

B.H./RTKlive

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje urgjente pas raportimeve të mediave franceze për kurdisje të ndeshjeve në Superligë në edicionin e kaluar.

Sipas njoftimit të FFK-së, Komiteti Ekzekutiv i saj ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.

"KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore", thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet e saj disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale.

"FFK, rikujton se tash e disa vjet nëpërmjet zyrtarit të saj për Integritet të Garave dhe UEFA-në, kanë mbajtur seminare dhe takime me stafe të klubeve dhe futbollistë për sensibilizim në parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll, teksa në vazhdimësi i monitoron të gjitha ndeshjet, në partneritet të plotë me kompanitë e aranzhuara nga UEFA rreth kësaj çështje", thuhet tutje në njoftimin pas mbledhjes së KE të FFK-së.

FFK është shprehur plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që "të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi".

"Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë", thuhet në fund të reagimit të FFK-së ndaj raportimeve të fundit për kurdisje të ndeshjeve.

Mediat franceze raportuan mbrëmë se autoritetet e atjeshme kanë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës. Madje, gazeta më e madhe franceze "Le Parisien" ka raportuar se klubi i Llapit është i përfshirë në kurdisjen e katër ndeshjeve. Akuzat e tilla sot nëpërmjet një reagimi i ka hedhur poshtë klubi llapjan.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është duke e trajtuar rastin e paraqitur në media.

“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.