Kosova përfiton 75 milionë euro nga marrëveshja IPA 2023|Video
BKT
Lajme

Kosova përfiton 75 milionë euro nga marrëveshja IPA 2023|Video

Fadil Sertolli / RTKlive

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka nënshkruar marrëveshjen IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ku përmes kësaj marrëveshje Kosova pritet të përfitojë një vlerë prej 75 milionë euro, mjete këto të dedikuara për fushën e energjisë.

Për numrin dy të qeverisë, Besnik Bislimi ky program është një hap tjetër të Kosovës drejt integrimit evropian dhe se marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë pas këtij nënshkrimi.

Sipas tij, 68 milionë euro do të barten në buxhetin e shtetit shumë shpejt e po ashtu 7 milionë të tjera do të bartën vitin e ardhshëm.

“Sot e nënshkruam marrëveshjen financiare IPA 2023 e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap tjetër drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova fiton 75 milionë Euro të cilat do të na ndihmojnë në kalimin e krizës energjetike”, tha Bislimi.

Ai gjithashtu tha se kjo marrëveshjë hyn në fuqi qysh ditën e  sotme.

“Menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje të cilat kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa 7 milionë euro vitin e ardhshëm. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në kuadër të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Bislimi.

Në anën tjetër ambasadori i BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, tha Bashkimi Evropian është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në tranzicionin energjetik e po ashtu edhe në bërjen e sistemit të qëndrueshëm energjetik.

Ai tha se marrëveshja vetëm se është nënshkruar nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bruksel.

“Prandaj, unë nuk kam qenë në gjendje të nënshkruaj asgjë sot, sidoqoftë jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe të jem dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje ku BE-ja i ofron 75 milionë euro që Kosova të tejkalojë krizën energjetike”, tha Szunyog.

Sipas tij, paketa energjetike e Kosovës paraqet grupet më të cenueshme të shoqërisë të bizneseve, më së pari është ndihmë financiare e të gjithë amvisërive.

“Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin energjetik dhe të implementojmë strategjitë energjetike dhe të bëjmë sistemin energjetik të Kosovës të qëndrueshëm, por gjithashtu edhe më të gjelbërt”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme