Aksidenti në Kroaci, Begaj: Shteti shqiptar pranë pasagjerëve të lënduar
atsh
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj reagoi sot në lidhje me aksidentin tragjik në Kroaci, ku humbi jetën një shqiptar dhe u lënduan disa të tjerë.
Presidenca njoftoi se, Presidenti i Republikës Bajram Begaj po ndjek me shqetësim aksidentin tragjik që ndodhi sot në Kroaci ku humbi jetën një shqiptar dhe u lënduan disa të tjerë.
Presidenti Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
Gjithashtu ai i siguron të gjithë familjarët e të lënduarve se po e ndjek situatën në vijimësi duke komunikuar me Ambasadorin shqiptar në Kroaci, si dhe me autoritetet kroate.
Presidenti i garanton familjarët e të gjithë pasagjerëve te lënduar se shteti shqiptar është pranë tyre.
Një person ka humbur jetën dhe disa janë plagosur në një aksident trafiku në autostradën A-1, sipas televizionit kroat, HRT.
Policia kroate ka bërë të ditur se aksidenti ndodhi dje në mbrëmje, në orën 23:43, kur një autobus me targa shqiptare, për arsye të panjohura, devijoi djathtas dhe u përplas me barrierat mbrojtëse duke u përmbysur në anën e majtë të tij.
Në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin nëntë pasagjerë dhe shoferi.Autobusi drejtohej nga një shtetas shqiptar, 58 vjeç.























