Çështja `McGonigal`, Escobar: Marrëdhëniet e mira Shqipëri-SHBA nuk cenohen
rtsh.al
Teksa opozita shqiptare ka thirrur këtë të enjte një mocion me debat me kryeministrin Edi Rama të cilin e akuzon për afera me zyrtarin e lartë të FBI, “McGonigal”, ka ardhur reagimi i të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
I pyetur nga mediat në Shqipëri, zyrtari i lartë amerikan tha se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk cenohen aspak nga kjo çështje që po hetohet nga vetë FBI.
“DASH nuk është pjesë e hetimit. Çështja e zyrtarit të FBI, McGonigal po hetohet nga vetë FBI. Do të thoja që Shqipëria është një partner i shkëlqyer i SHBA. Vendi juaj është një pjesë e rëndësishme e Këshillit të Sigurimit dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut”. Çështja MC Gonigal, nuk e ka dëmtuar aspak marrëdhënien tonë të mirë me Shqipërinë”, tha Escobar.
Në akuzat e ngritura nga ish-kryeministri Berisha, u përfshi dhe vetë Gabriel Escobar, si pjesë e grupit “McGonigal” që u vendosnin gjoba biznesmenëve shqiptarë, si dhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim.























