Pas disa orësh Kuvendi përfundoi debatin për dialogun
A.B/RTKlive
(E plotësuar, 3 mars, ora 02:50) Pas katër orëve debat ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku është debatuar për dialogun me Serbinë dhe planin evropian.
Kurti: `Zajednica` nuk kalon
(E plotësuar, 3 mars, ora 00:50) Pas deklarimeve të disa deputetëve të Kuvendit Kosovës, nga pozita dhe opozita, fjalën e ka marrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit, para ligjëvënësve kosovarë, u ka kujtuar disa deputetëve se ata kanë votuar ‘Zajednicën’. Ai ka thënë se në këtë dialog, nuk ka vështirësi, raporton RTKlive.
Kurse për interpretimet e deputetëve për propozimin franko-gjerman për Marrëveshje bazike, tha se janë interpretime negative.
“Parashikimet për rreziqe janë evidente, i kam shënuar të gjitha, i marrë shumë seriozisht dhe unë ju falenderojë për ato. Ne jemi këtu dy palë, pa pranuar Kosova nuk bëhet, dialogun unë e udhëheq. Asociacioni apo ‘Zajednica’, edhe pa u realizuar në teren ka bërë dëme të mëdha, vetëm si ide”, theksoi ai.
Kurti tha se nuk iu janë plotësuar Serbisë, kërkesën që bisedimet të fillojnë vetëm Asociacionin.
'Për ta përmbyllur ‘Zajednica’ ka kaluar këtu në Kuvend. ‘Zajednica’ nuk kalon. Nuk ka kaluar në Gjykatë. Nuk ka kaluar në popull. ‘Zajednica’ nuk kalon as në Kryeministri e as në Qeveri. Por këtu te ju po”, ka thënë Kurti.
Murati:Dy palët me reciprocitet, s`ka falje, por ballafaqim me të kaluarën
(E plotësuar, 3 mars, ora 00:25) Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emër të qeverisë së Kosovës, ka folur rreth çështjeve të ngritura nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, rreth marrëveshjes së re në bazë të propozimit franko-gjerman.
“Është hera e parë që dy palët kanë reciprocitet”, tha ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij edhe në marrëveshje nuk ka të bëj me falje, por me përballje me të kaluarën. 
“Më në fund kemi atë që Serbia vihet para ballafaqimit me të kaluarën e vet”, tha ai.
Opozita adreson kritika ndaj Kurtit rreth marrëveshjes së fundit
(E plotësuar, ora 23:25) Tri partitë opozita, PDK, LDK dhe AAK, kanë adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti se me pranimin e planit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka hequr dorë nga premtimet që ka dhënë në të kaluarën. Deputetët e këtyre partive kanë kërkuar nga Kurti tranparencë në dialog.
(E plotësuar, ora 23:10) Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar seancën, për debatin për dialogun me Serbinë.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, vlerësoi se Kosova ka devalvuar me këtë marrëveshje. Ai ka bërë disa pyetje për Kurtin. Sipas tij duke e ditur se Serbia nuk ka implementuar marrëveshjet e kaluara, është më mirë që t’i thuhet jo kësaj marrëveshje.
Deputeti i VV-së, Jahja Kokaj, tha se Kosova e meriton lirinë. ‘Unë propozojë që të mobilizohemi pozitë e opozitë, në etapat kohore të tjerat ë japim mendime dhe që të vijmë tek ajo më e mira”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Hysen Berisha ka kritikuar Kurtin për pranim të këtij planit. Gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit të enjten mbrëma ku po diskutohet propozimi evropian, Berisha ka thënë se u bën apel partive opozitare, që të rreshtohen kundër siç ka thënë, bashkim-vllaznimit modern në Serbi, për ta kundërshtuar Asociacionin pa njohje.
Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka adresuar kritika ndaj kryministrit Albin Kurti, duke e cilësuar se ka pasur rezultat të dobët. Zemaj ka kërkuar sqarime nga Kurti për marrëveshjen.
Ndryshe seanca u ndërpre gjatë ditës me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti që për tri orë u përplas me deputetë opozitare për planin evropian, për të cilin u pajtua të hënën në Bruksel.
Konjfuca: Seanca e Kuvendit vazhdon sonte në orën 22:00|Video
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lëshuar seancën e Kuvendit, ku ishte ftuar për të raportuar për dialogun me Serbinë.
Duke iu drejtuar deputetëve, Kurti ka thënë se i duhet të shkojë, por iu ka propozuar atyre që nëse e konsiderojnë shumë të rëndësishëm debatin mund të kthehet në orën 22:00 dhe të qëndrojë deri në mëngjes. 
Kurse kryetari i i Kuvendit, Glauk Konjfuca në mbyllje të seancës njoftoi se seanca vazhdon sonte në orën 22:00
B.H. & F. S. & M.M./RTKlive
Kurti: Propozimi i BE-së s’flet as për vetëqeverisje e as për autonomi
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për përdorimin e shprehjes së fqinjësisë së mirë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se kjo do të ndihmojë në njohjen defacto.
Kurti gjithashtu ka theksuar se Neni 7 i propozimit evropian nuk flet për vetëqeverisje ose autonomi, por për vetëmenaxhim dhe komuniteti serb, të cilat ai tha se i kemi në Kushtetutë dhe me referencë te Këshilli i Evropës.
"Çka kam thënë për Asociacionin e ato 6 kushtet gjithçka vlen. Po e ritheksoj se nuk kam ndryshuar as në koncept as në qëllim. Ajo që kam bërë është që strategjikisht të bëj maksimumin për ndryshimin e saj. Pranim minimal i realitetit për ndryshim maksimal të tij. Unë besoj që ndërmjetësit kur e kanë shkruar draftin kanë bërë mirë që janë thirrur në rëndësinë e paqes meqë e dini që fqinji ynë ka bërë shumë veprime agresive vitin që shkoi. Unë nuk iu përkas atyre që thonë le të bëjë çka të dojë Serbia me statusin e saj”, ka thënë Kurti.
Kurti: Serbia s’ishte e gatshme për t’i dhënë formë juridike marrëveshjes
(E plotësuar) Në vazhdimin e seancës së pasdites, kryeministri Kurti njoftoi për ecurinë e takimit të nivelit të lartë të mbajtur në Bruksel, më 27 shkurt, derisa njoftoi shkurtimisht se nga kush është organizuar ai takim i nivelit të lartë në Bruksel.
“Takimi ishte ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme , Josep Borrell, me dy pika të agjendës: e para- formalizimin e pranimit të marrëveshjes bazë të propozuar nga BE e te mbështetur nga Gjermania, Franca Italia e SHBA, dhe e dyta: fillimin e diskutimeve për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, njoftoi kryeministri Kurti.
Ai theksoi se shpesh ka ndodhur keqkuptime sa i përket këtyre dy dokumenteve ngase BE ka propozuar zyrtarisht vetëm njërin dokument, e cila është marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ndërkohë që,sikundër tha ai, plani i zbatimit do të duhet të negociohet e që nuk kanë filluar ende.
“Në takimin nivelit të lartë të datës 27 shkurt, isha pjesëmarrës në dy lloj takime. Fillimisht, bilateral, me përfaqësuesin Borrell e me lehtësuesin Lajçak, dhe pas kësaj edhe në takimi trelateral ku në takim ishte edhe presidenti serb, Vuçiq. Në takimin trelateral unë i ofrova BE-së nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës të marrëveshjes bazike të cilin do të duhej ta nënshkruante edhe përfaqësuesi Borrell edhe presidenti Vuçiq, dhe e njëjta të miratohej në një samit të KE-së”, deklaroi i pari i qeverisë, Albin Kurti.
Ai, tutje,njoftoi se këtë propozim e refuzoi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, të cilën e bëri publike edhe vetë ai, pas daljes nga takimi, ndonëse, siç sqaroi kryeministri Kurti, Borrell kishte deklaruar se ky dokument nuk do të diskutohej më dhe që ai dokument ka një format të finalizuar, por që nuk nënkupton se palët janë pajtuar për marrëveshjen.
Refuzimi për ta nënshkruar këtë dokument nga ana e Serbisë tregon se ata nuk janë dakord me përmbajtjen, rrjedhimisht nuk janë të gatshëm për t’i dhënë formë obligative juridike e ndërkombëtare marrëveshjes së tillë.
Kryeministri Kurti mes tjerash sqaroi se marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës e Serbisë përbën një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve të pavarura, e cila bazohet në parimin e barazisë së sovranëve respektin për integritetin territorial, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të Republikës sonë në organizatat ndërkombëtare, etj.
“Marrëveshja mundëson një projekt paqeje, e cila shndërron në obligim ligjor arritjen e një marrëveshjeje finale”, deklaroi Kurti.
Ndër të tjera kryeministri Kurti ka deklaruar se asnjëherë nuk do të pranojë diçka që është kundër Kushtetutës së Kosovës.
“Më lejoni të riktheksoj se si kryeministër nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin tonë kushtetues e ligjor apo diçka që synon territorializimin, monoetnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Asnjë nga kjo asnjëherë. Gabimet politike historike të qeverive të kaluara s’do të përsëriten asnjëherë”, derisa shtoi se si kryeministër do të bëjë përpjekje maksimale që ato gabime t’i eliminojë, apo së paku t’i reduktoj substancialisht që të mos jenë pengesë për karakterin e qëndrueshëm, demokratik e unitar të Kosovës.
Tahiri: AAK mbështet marrëveshjen për normalizimin në mes të Kosovës e Serbisë
Besnik Tahiri, kryetar i GP të AAK-së, i cili mbështeti marrëveshjen për normalizimin e Kosovës dhe Serbisë, të mbajtur në Bruksel më 27 shkurt, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësuesit Lajçak.
Deputetit Tahiri ritheksoi se marrëveshja për normalizimin Kosovës dhe Serbisë i propozuar nga BE, mbështetet nga AAK .
“Ne kemi vlerësuar se ky dokument në rrethanat në të cilat gjendet vendi është me interes për vendin, në veçanti në forcimin e stabilitetin e të sigurisë dhe rrugës së Kosovës drejtë anëtarësimit të saj në NATO, BE dhe në organizatat tjera ndërkombëtare”, deklaroi, mes tjerash, deputeti Tahiri.
Gashi: Krejt jo-të e Kurtit edhe për çështjet e panjohura për ne dhe publikun, u bënë po
Kryetari i GP, të LDK-së, Arben Gashi, tha se nuk di se sa do të mund t’i përballojë Kosova lëshimet e Kurtit, derisa listoi një varg çështjesh që sipas Gashit janë të humbura për Kosovën, si: liberalizimi i vizave, vlerësimin për konstruktivitetin e treguar nga pala e Kosovës, besimin e krijuar me partnerët ndërkombëtarë, humbi jetën e disa qytetarëve, për të arritur tek asociacioni.
Sipas Gashit, problemi qëndron te marrëveshja , e cila lind për çka është marrë vesh kryeministri Kurti, teksa përmendi pikën 7 të marrëveshjes, duke kritikuar Kurtin për qasjen e gabuar ndaj kësaj pike të marrëveshjes.
Tutje, Gashi këshilloi kryeministrin Kurti që të ketë kujdes veçmas në angazhimet e dala nga pikat e marrëveshjes.
Krasniqi i ashpër me Kurtin: Nëse do të varej nga ju, nënshkrimi i saj do të ishte çështje ditësh
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi duke folur në lidhje me takimin që kishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me datë 27 shkurt të këtij viti, tha se nëse do të varej nga kryeministri, nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ishte çështje ditësh.
Krasniqi me këtë rast i tha Kurtit se e kanë ftuar sot për të diskutuar pa paragjykuar, në interesin tonë dhe të qytetarëve të vendit, për një çështje që, siç u shpreh ai, po e preokupon çdo qytetarë.
“Kjo marrëveshje u pranua me vullnet nga ana e kryeministrit Kurti dhe duket që nëse do të varej prej tij, është çështje ditësh edhe nënshkrimi i saj”, tha i pari i PDK-së Krasniqi.
Ai tha se nëse lexohet teksti i këtij dokumenti shihet qartë se Kryeministri i vendit është pajtuar që të kapërcej trashëgimin e së kaluarës.
Krasniqi tha se mjafton të analizohet teksti i këtij dokumenti dhe nëse, siç tha ai, analizohet preambula e kësaj marrëveshje, me të cilën Kurti është pajtuar që të kapërcejë të kaluarën e që është shumë e dhimbshme.
“ kryeministri Kurti është pajtuar që të kapërcejë të kaluarën e që është shumë e dhimbshme, i bije që ne po e kapërcejmë pa e trajtuar siç kemi kërkuar disa nga këto aspekte. Adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës, dëmshpërblimet e luftës, dëmet materiale, kthimin e të mirave materiale të pensioneve të qytetarëve dhe po ashtu të pronës së uzurpuara të tyre. Unë se kuptoj si mund të ketë pajtueshmëri për të kaluar trashëgiminë e së kaluarës pa i zgjedhur këto çështje fondamentale”, tha Krasniqi.
Ai po ashtu ka thënë se e rëndë është edhe fjalia e tretë, ku sipas tij, nga njëra anë përmendet historia, në anën tjetër, palët pajtohen.
“Statusi i Kosovës është për ne më i rëndësishëm”, tha i pari i PDK-së, Memli LKrasniqi.
Kusari-Lila: Brenga e opozitës jo tek interesi i qytetarëve, por me qëndrimet e kryeministrit Kurti
Kusari Lila, kryetare e GP të LVV-së teksa vuri theksin në procedurën e kërkesës së opozitës për prezantimin e kryeministrit Kurti në seancën e stome për të njoftuar për takimin e tij në Bruksel lidhur me marrëveshjen për normalizim mes Kosovës e Serbisë, që sipas saj, kjo është bërë jo në parime, por në baza të një inati politik.
“Kundërshtia në vetvete është parim, ngase duan ta kundërshtojnë, jo se kanë parime, ndryshe do ta kundërshtonin atë që kishin nënshkruar vet”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo vlerësoi se për kreun e LDK-së më me rëndësi është të dijë se çfarë ka ndodhur me qëndrimet kryeministrit Kurti e jo brengën se cili është interesi i qytetarëve.
“Por të njëjtën ngulm nuk ju pamë ta keni shfaqur pas marrëveshjes së vitit 2020”, deklaroi Kusari- Lila.
Abdixhiku: Kurti e pranoi Asociacionin që dikur e kundërshtonte fuqishëm
(E plotësuar) Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se mazhorancës i mungon vullneti për të ndërtuar unitet në dialog dhe në tema tjera. “Ishte për keqardhje insistimi i mazhorancës që deshi t’ia marrë fjalën LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shtëpisë së demokracisë, vendit të vetëm ku fjala politike duhet të këtë peshë. Frika e mazhorancës nga fjala jonë është frikë nga e vërteta dhe mungesë e guximit politik e intelektual te përfaqësuesit e shumicës për të për të trajtuar një teme si çështja e dialogut”, tha Abdixhiku.
Ai gjithashtu tha se Qeveria nuk e ka në mendje përballjen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por luftën e brendshme politike. Abdixhiku kërkoi që të trajtohet marrëveshja e arritur në Bruksel, duke u fokusuar në 11 nenet e saj. Sipas tij, në dokumentin e mbështetur nga 27 vende evropiane, kryeministri Kurti pajtohet të tejkalojë historinë shtypëse të Serbisë ndaj Kosovës duke barazuar mosnjohjen e Serbisë me vet aktin e deklarimit të pavarësisë, por Abdixhiku e quajti këtë si lëshim më të madh në procesin e dialogut.
Abdixhiku theksoi se marrëveshja Kurti-Vuçiq ka mungesë të njohjes në qendër të saj dhe ka neutralitetin ndaj statusit në vlerë si preambulë. Ai gjithashtu tha se kryeministri Kurti ka pranuar implementimin e marrëveshjeve paraprake, siç është Asociacioni, megjithëse ka pasur kundërshtime të shumta. Ai tha se Kurti nuk e solli Asociacionin, por e pranoi atë tashmë edhe pse më parë e kishte kundërshtuar fuqishëm. Sipas Abdixhikut, e vërteta e vetme e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel duhet të gjendet në nenin 7 dhe 10.
Kryeministri raporton sot në Kuvend për takimin në Bruksel
(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti pritet të raportojë sot në seancën e Kuvendit lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.
Raportimi i kreut të ekzekutivit pritet të nisë në orën 13:00, derisa ai do të paraqitet para deputetëve me kërkesë të partive opozitare, për të dhënë më shumë detaje lidhur me dakordimin në Bruksel rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Përfshirja e raportimit të kryeministrit në rend dite në seancën e sotme u bë me kërkesën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mocion i cili u mbështet edhe nga dy partitë tjera opozitare, PDK dhe AAK.
Opozita i kërkon llogari kryeministrit Kurti për dakordimin në Bruksel
(E plotësuar) Dy liderët opozitarë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për dakordimin në Bruksel dhe për mos raportim para Kuvendit të Kosovës.
I pari i PDK-së, ka thënë se një politikan i ndërgjegjshëm do të paraqitej vet në seancë për të raportuar, pa pasur nevojë për mocion.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka kryeministri sesa të vijë në Kuvend dhe t’u drejtohet deputetëve e qytetarëve. Po flasim për një marrëveshje preambula e së cilës heq dorë nga njohja e ndërsjellë, neni 10 specifikon se pa njohje të ndërsjellë pranon asociacionin. Nga ajo që kemi parë, ajo marrëveshje nuk mund të fuqizohet pa u ratifikuar në Kuvend. Ka shumëçka se çka thuhet në këtë marrëveshje. Ne e mbështesim kërkesën për debat”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhku, theksoi se Kurti vendosi ta tejkalojë të kaluarën e Kosovës, duke përfshirë siç tha ai, edhe krimet e masakrat që ka kryer Serbia.
“Ajo që merr vëmendjen e parë në plan e që nuk ishte prezantuar ndonjëherë, ishte parathënia – që ishte mbajtur tërësisht fshehur nga kryeministri Kurti në këtë Kuvend. Aty i gjeni dy formulime skandaloze me dëme historike për Kosovën. I pari ka të bëjë me tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës, i dyti, pa paragjykim të palëve mbi çështjen e statusit. Kjo do të thotë se tejkalohet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, me dakordim të palëve, përfshirë krimet, masakrat – sepse palët kanë vendosur ta tejkalojnë të kaluarën me një copë letër. Në vend të ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën, kryeministri në preambulë si vlerë dakordohet për tejkalim të trashëgimisë të kaluarës. Jo vetëm kaq. Në një rast të paprecedentë, Kosova pajtohet me paparagjykimin rreth statusit të vet politik. Barazon mosnjohjen e Serbisë me vetë aktin e pavarësisë. Ky formulim në preambulë, neutral ndaj statusit të Kosovës, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në dialog”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, neutraliteti në status është dëm historik për Kosovën. “Edhe në marrëveshjet paraprake, që kishin ambiguitet, siç ishte ajo e fusnotës, kishte referencë në vendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar lideri i LDK-së në seancën e sotme të Kuvendit, i cili kërkoi mocion procedural që të futet në rend dite raportimi i kryeministrit pas procesit dialogues, kërkesë e cila u mbështet nga dy partitë tjera opozitare, PDK e AAK.
Në anën tjetër Mimoza Kusari-Lila, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar në fjalën e deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku që pika e parë e seancës së sotme të jetë raportimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për takimin që e kishte me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Kusari-Lila e ka quajtur kërkesën e Abdixhikut patetike, duke thënë, që këtë lloj fjalimi Abdixhiku ta bëjë në selinë e LDK-së, ndërkaq ka thënë se për LVV-në një debat i tillë për dialogun është i paqëndrueshëm si mocion.
Sipas saj, nga Abdixhiku s’kanë dëgjuar të bëjë analizë komperative të marrëveshjeve të nënshkruara nga subjekti i tij në 2015 dhe në 2020.
“Mocionin e kombinuar me fjalim patetik të z.Abdixhiku para deputetëve ja rekomandoj ta bëjë në selinë e LDK-së, për asye se z.Abdixhiku jo që filloi të diskutojë për rëndësinë e mocionit por filloi të bëjë analizë të marrëveshjes. Gjë që nuk e kishim dëgjuar të bëjë analizë komperative të marrëveshjeve të nënshkruara nga subjekti i tij në 2015, pastaj në 2020 dhe për dëmet apo regresin në procesin e dialogut”, tha Kusari-Lila.
Rrjedhimisht, siç tha ajo, para se të ngris alarmin për një marrëveshje të dakorduar në parim duhet të ja rikujtoj Abdixhikut se nga e njëjta foltore ka dalë dhe e ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë Kurti për izolim të Kosovës dhe për mos-bashkëkoordinim të veprimeve dhe vendimeve me aleatët tonë ndërkombëtarë.
Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën plenare
Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare në të cilën janë paraparë të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara të vitit 2022, por edhe të këtij viti.
Në këtë seancë e cila fillon në orën 10:00, ndër të tjera në rend dite janë, pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 dhjetor 2022 dhe 22 shkurt 2023, pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 22 dhjetor 2022m ku pritet të votohet Strategjia e Eergjisë së Republikës së Kosovë për periudhën 2022-2031.
Rendi i ditës
I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 dhjetor 2022 dhe 22 shkurt 2023:
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-162 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-203 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 - efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,
7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-204 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,
9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-152 pёr anti dopingun,
10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-072 për Bujqësi dhe zhvillim rural,
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-145 për Parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes,,
12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-190 për Zhvillimin Rajonal të Balancuar,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
14. Debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022,
15. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021.
II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 22 dhjetor 2022:
1. Votimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovë për periudhën 2022-2031.
III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 dhjetor 2022 dhe 8 shkurt 2023:
10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-176 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative,
11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-192 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit,
12. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës,
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor,
16. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
17. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021,
18. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2021,
19. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2021,
20. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2021,
21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2021,
22. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Statistikave të Kosovës për vitin 2021,
23. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-021 për kontrollin e brendshëm të financave publike,
24. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.06/L-087 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë,
25. Shqyrtimi i Planit Kombëtar të Radio-frekuencave,
26. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
27. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
28. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
29. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
IV. Seanca plenare e shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 12 dhjetor 2022:
1. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me çështjen: ”Siguria juridike e grave në rastet e dhunës në familje dhe përgjegjësia e organeve shtetërore në parandalimin edhe luftimin e krimeve ndaj grave dhe vajzave”.
V. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 janar 2023:
5. Votimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës,
6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021,
7. Shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt 2023:
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës,
19. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021,
20. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,
21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,
22. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,
23. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,
24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.
VII. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 9 shkurt 2023:
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
VIII. Vazhdimi i Seancës plenare, e filluar më 13 shkurt 2023:
1. Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
IX. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:
8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,
12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,
13. Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.























