Tahiri: Seanca s’ka kuptim pa prezencën e kryeministrit
M.Miftari/RTKlive
Abelard Tahiri, kryetar i GP të PDK-së, në seancën e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, theksoi se si grup parlamentar konsiderojmë se është jetike dhe tejet e rëndësishme ardhja e kryeministrit në Kuvend për të raportuar për takimin e ditës së hënë.
Ai konsideroi se nuk ka kuptim të vazhdohet seanca me ato çështje të ngelura të pambyllura gjatë vitit të kaluar e të mos diskutohet për dokumentin që kryeministri Kurti ka deklaruar se ka qenë i gatshëm ta nënshkruaj atë dokument, ku flitet për marrëveshjen.
“Nuk ka kuptim të vazhdohet kjo seancë me atë kaosin parlamentar, me ato seancat e pambyllura gjatë tërë vitit 2022 dhe të mos diskutohet për këtë dokument mjaft të rëndësishëm dhe që nga dita e hënë e kemi në dorë, prandaj kërkojmë nga ju, kryetar i Kuvendit që të lidhesh me kabinetin e kryeministrit që ta kërkoni prezencën e tij në këtë seancë dhe mund ta kemi një pauzë 30 minutëshe ose njëorëshe", deklaroi Abelard Tahiri, kryetar i GP të PDK-së.
Sipas tij, ky debat nuk ka kurrfarë kuptimi pa prezencën e kryeministrit në këtë seancë.
“Ai duhet të jetë njeriu, i cili duhet të na njoftojë për këtë dokument , sepse ne kemi dëgjuar gatishmërinë e tij për ta nënshkruar këtë dokument. Meqenëse nuk është nënshkruar kërkojmë ta kemi këtu kryeministrin e ta bëjmë një debat për këtë tekst të marrëveshjes”, shtoi deputeti Tahiri, duke shtuar se "edhe debatin e kaluar, të cilën e kemi ftuar seancën, ne, si PDK, e kemi ndërprerë me daljen e tij nga seanca, por që, për më tepër, sot kemi një realitet të ri."
Më tej deputeti Tahiri deklaroi se debati për marrëveshjen e dokumentit është i pranishëm në çdo studio televizive, ndërsa Kuvendi refuzon ta diskutojë, që nuk është në rregull. “Nuk mund të fshiheni pas procedurave parlamentare për të diskutuar për një çështje të tillë”, theksoi,mes tjerash, deputeti Tahiri, derisa bëri thirrje që nuk bën të diskutohet për këtë çështje pa prezencën e kryeministrit në seancë për të raportuar për këtë marrëveshje.























