Begaj, vizitë zyrtare në NATO më 7 mars
BKT
Shqipëri

Begaj, vizitë zyrtare në NATO më 7 mars

ATSH

Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë zyrtare në NATO më datë 7 mars 2023.

Presidenca njoftoi sot se kreu i Shtetit, Bajram Begaj, do të ketë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të diskutojë lidhur me zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, temë e diskutimeve do të jetë vijimi i mbështetjes për Ukrainën; angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në korrik të këtij viti.

Në këtë vizitë zyrtare, Presidenti Begaj do të shoqërohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralbrigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij.

Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e Bajram Begajt në cilësinë e Presidentit të Republikës.

Në përfundim të takimit, në orën 13:00, presidenti Begaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.


MË SHUME NGA Shqipëri