Kurti: Kosova është një histori në të cilën ia vlen të investohet
BKT
Lajme

Kurti: Kosova është një histori në të cilën ia vlen të investohet

M.Miftari/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, mirëpritën sot në ndërtesën e Qeverisë ka pritur në takim përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, të Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), të Bankës Amerikane për Eksport-Import, të Shoqatës së Biznesit Amerikë - Evropë Qendrore, si dhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë.

Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti vuri theksin te rëndësia dhe veçantia e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë. I njoftoi për progresin ekonomik dhe demokratik në vend gjatë dy viteve të fundit, përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19, kriza energjetike dhe ajo e inflacionit si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Si histori e dyfishtë e suksesit, e intervenimit të suksesshëm ndërkombëtar në pranverën e vitit 1999 dhe e bashkëdyzimit të demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik, Kosova është një histori në të cilën ia vlen të investohet”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkaq, përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe tha se vizita e këtij delegacioni është në frymën e partneritetit, partneritet ky që është i fortë ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës dhe me prioritet për ShBA-në.
Tutje, sikundër bëhet e ditur në njoftim, kompanitë amerikane Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë. Përfaqësuesit e këtyre kompanive prezantuan punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor.
Veç kësaj, delegacioni amerikan kishin zhvilluar një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila u kishte prezantuar atyre projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë dhe sektorë të tjerë në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme