Kupa e Botës 2026, FIFA gati formatin e ri
RTSH
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) është e gatshme të ndryshojë formatin e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Fillimisht, me pjesëmarrjen e 48 ekipeve, ishte parashikuar që turneu të zhvillohej në fazën e parë me 16 grupe me nga tre skuadra. Megjithatë, ashtu sikurse raporton BBC, entuziazmi i rritur nga Kampionati Botëror i nëntorit të kaluar në Katar, teksa disa grupe janë vendosur në ndeshjet e fundit e ka detyruar Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) që të bëjë prapakthehu.
Vendimi pra do të jetë ai i kthimit të formatit në grupet klasike me katër skuadra, kurse konfirmimi zyrtar pritet të vijë nga mbledhja e këshillit të FIFA-s më 16 mars në Ruanda.
Sipas ‘BBC’ ekziston një marrëveshje mbi faktin që formati me katër skuadra duhet të jetë ruajtur dhe për edicionin e ardhshëm. Kjo me kushtin që nuk do të zgjatet në kohë zhvillimi i kompeticionit.
Edhe presidenti i Konkaf, Viktor Montaljani, ka dashur të komentojë ndryshimin e mundshëm.
“Grupet me tre skuadra duken një ide e madhe, por ka disa probleme. Është e drejtë që të kualifikohesh për një Botëror dhe skuadra e tretë pas dy ndeshjesh të shkojë në shtëpi? Duhet të jemi të përgjegjshëm. Kishte një numër ditësh të caktuara më 2014 dhe 2018 dhe nuk mund të shkonim përtej atyre ditëve. Nuk mund të kemi një Kupë Bote në tre muaj”.























