Kroacia mbështet fuqishëm afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës
BKT
Lajme

Kroacia mbështet fuqishëm afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës

RTKlive

Kroacia pret që Kosova të njihet nga të gjithë anëtarët e BE-së, i tha presidenti kroat Zoran Milanoviç ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Donika Gërvalla.

Milanoviç dhe Gërvalla, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci, diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve, planin aktual për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe për çështjen euroatlantike të Kosovës. Milanoviç i konfirmoi ministres Gërvalla se “Kosova gjithmonë ka pasur dhe mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen nga Kroacia kur është fjala për afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës”, thuhet në deklaratën për shtyp, informon Index.hr, transmeton RTKlive.  

Ai avokoi që një qëndrim të tillë ta mbajë i gjithë Bashkimi Evropian :“Ne presim që të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha ai sipas komunikatës për media. Milanoviç përshëndeti përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të siguronte stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore dhe perspektivë evropiane për të gjithë rajonin.  Pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga pesë anëtarë të BE-së: Qiproja, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia.


MË SHUME NGA Lajme