Meta priti në takim ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim
ATSH
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, priti në një takim ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, gjatë të cilit konfirmoi vullnetin e palëkundur të PL-së për të kontribuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve evropiane.
Meta nënvizoi në mënyrë të veçantë situatën e krijuar në Parlamentin e Shqipërisë.
“Bllokimi i komisioneve hetimore, interpelancave dhe i një serie projektligjesh të propozuara nga Partia e Lirisë, por edhe nga partitë e tjera të opozitës, do të thotë rrëmbimi de facto i Parlamentit nga Qeveria, duke synuar asgjësimin e kontrollit mbi qeverisjen si dhe bllokim i adresimit në Kuvend të shqetësimeve shumë të mëdha të qytetarëve në lidhje me qeverisjen, e veçanërisht më korrupsionin”, theksoi Meta.
Meta tha se “shqetësimet e shumta, të ngritura edhe nga organizata jofitimprurëse, mbi përdorimin skandaloz të administratës shtetërore, financimeve të buxhetit të shtetit, por dhe veprimtari të tjera klienteliste, në funksion të manipulimit dhe shitblerjes së votës, që lidhet drejtpërdrejtë me zgjedhjet e 14 majit”.
Meta përshëndeti në mënyrë të veçantë angazhimin e fokusuar të DEA-s në Shqipëri, lidhur me veprimtarinë e narkotrafikut dhe problemet kritike që lidhen me të, si një hap i duhur dhe i shumëpritur.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Meta shprehu falënderimin e veçantë për mbështetjen e pakursyer që institutet amerikane IRI dhe NDI kanë ofruar vazhdimisht për rritjen e kapaciteteve të liderëve të rinj dhe grave të Partisë së Lirisë.























