Mungesë e inspektorëve shëndetësorë |Video
Venera Adili/ RTK
Numri i pamjaftueshëm i inspektorëve të angazhuar në Inspektoratin Shëndetësor e atë Sanitar është përkthyer me ngarkesë në detyra të punës së stafit ekzistues. Përveç planit të rregullt të punës ata duhet t’i përgjigjen edhe kërkesave urgjente sipas nevojës kur raportohen raste nga policia, prokuroria apo qytetarët. Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e inspektorëve deri në fund të mandatit.
Qindra institucione shëndetësore janë nën përgjegjësinë e 10 inspektorëve shëndetësorë në nivel vendi. U.d. e kryeinspektores shëndetësore, Nora Kursani, thotë se vetëm gjatë vitit të kaluar, janë inspektuar rreth 1 mijë institucione, por jo të gjitha në kuadër të planit, por sipas kërkesës.
“Inspektorëve shpesh ju ndërrohet plani i punës. Përkundër se e kemi planin e punës nëse kemi një kërkesë urgjente nga policia, prokuroria, apo nga qytetari, atëherë ne e ndryshojmë planin e punës dhe e shikojmë se cila është me prioritet dhe vazhdojmë me inspektimin çfarë kërkohet”, thotë Nora Kursani, u.d. kryeinspektore e shëndetësisë.
Kursani tutje ka thënë se inspektorët shëndetësorë janë të stërngarkuar me punë, e në anën tjetër ndonëse janë mjekë specialistë nuk paguhen njësojë si kolegët e tyre që punojnë në institucione shëndetësore.
“Pagesa nuk është e kënaqshme dhe edhe me ligjin e pagave nuk paguhemi si punëtorë shëndetësorë dhe paga dallon dukshëm mes mjekëve specialist edhe pse shumica janë mjekë specialistë”, tha ajo.
Pak inspektorë krahas kërkesës për angazhim janë edhe në Inspektoratin Sanitar.
“Në total AUV ka 48 inspektorë sanitar që kryejnë punën në teren. Sa mbërrijnë me krye punën nëse merret në raport me bizneset është shumë pak nëse merret në raport me kompleksitetin e punëve që kryejnë janë edhe më pak dhe ne jemi në një situatë emergjente për të shtuar numrin”, tha Lamir Thaçi nga AUV.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në vazhdimësi ka bërë kërkesë për rritjen e numrit të inspektorëve. Lehtësime në kryerjen e detyrave ishte vërejtur kur gjatë pandemisë ishin angazhuar më shumë se 100 të tillë, por të cilët pas përfundimit të afatit, nuk iu vazhduan kontratat.
Ministria e Shëndetësisë pritet të hapë konkurs për të rrit numrin e inspektorëve shëndetësorë edhe për 42 më shumë.























