Rama: Në prill të 2025-ës paga minimale do jetë 45 mijë lekë
Shqipëri

Rama: Në prill të 2025-ës paga minimale do jetë 45 mijë lekë

rtsh.al

Deri në vitin 2025, paga minimale do të rritet në 45 mijë lekë. Është ky premtimi që ka bërë sot (13 mars), kryeministri, Edi Rama, gjatë prezantimit të strategjive për zhvillimin e Tiranës.

Kreu i qeverisë garantoi se kjo rritje do të vijë gradualisht, për tu konkretizuar në fund të muajit prill të vitit 2023, ndërsa rikujtoi se në fund të muajit prill të këtij viti, paga minimale do të shkojë në 40 mijë lekë.

“Kemi vendosur që në vitin 2025, kur objektivi i programeve elektorale të gjitha partive politike në Shqipëri, ka qenë 38 mijë lekë, të jetë 45 mijë lekë. Brenda dy viteve, në fund të prillit të 25-ës, të gjithë ata që marrin pagë minimale, do e marrin pagë 45 mijë lekë.

Kjo do të thotë që tani në javët, muajt në vijim do kemi rritje të përgjithshme për të garantuar që paga mesatare nuk qëndron aty ku është se duhet mbajtur një balancë mes mesatares dhe maksimales. Po shqyrtojmë pagat që do rriten”, premtoi Kryeministri.

Më tej, kryeministri Rama tha se sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim lidhur me mënyrën e pagesës së punonjësve, duke u bërë thirrje që t’i deklarojnë pagat e plota. Kreu i qeverisë theksoi se humbja e burimeve njerëzore është alarmi i fundit i asaj që ka filluar të ndihen të vendin tonë. Sipas tij, ajo që deri dje ishte një problem, sot rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme.

“Problemi që kishte vende pune dhe s’kishte profesionistë, sot rrezikon të kthehet në një problem, që s’ka punëtorë. Aq më tepër në kushtet kur bota dhe marr përsëri Gjermaninë si destinacionin kryesor jo vetëm të shqiptarëve, po hynë në një fazë krize, për punëtorë dhe ajo vetë.

Të gjithë të vrapojmë sot më shumë. Kemi bërë gjithçka kemi mundur, por sot duhet të bëjmë dhe të pamundurën si qeveri. Sipërmarrja duhet të bëjë gjithçka që mundet sot, që nivelet e pagave që së fundmi janë rritur shumë më tepër se janë rritur për vite me radhë në sektorin privat, të formalizohen dhe të bëjë çmos që të uniformizohen”, theksoi ai.

 


MË SHUME NGA Shqipëri