Deputetët e opozitës letër në PE për Portin e Durrësit e pasaportat e arta
rtsh.al
Eurodeputeti i Parlamentit Europian McAllister i është përgjigjur letrës së dërguar nga 21 deputetë të opozitës, ku argumentojnë shkeljen e MSA, ligjit të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore për Marrëveshjen e realizimit të projektit “Durrës Yachts & Marina" dhe dhënia e pasaportave të Arta.
Letra me firmën e 21 deputetëve nga tre grupe parlamentareështë dërguar më 16 janar 2023, ndërkohë që sot përmes një emaili u ka ardhur dhe përgjigjja e eurodeputetit, i cili mban dhe postin e kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian ka mbërritur më 6 mars 2023 me email.
Shqetësimi i opozitës mbetet jo vetëm shkelja e legjislacionit aktual, afateve e procedurave, por edhe hapja rrugë dhe lehtësimi për dhënien e pasaportave të Arta për investitorët strategjikë dhe blerësit e apartamenteve në këtë zonë. Sipas zyrtarit të BE, “investimet e huaja duhet të jenë në përputhje me rregullat e BE-së.”
Në letrën e tij McAllister nënvizon se “Sundimi i ligjit mbetet një parim udhëzues i procesit të zgjerimit dhe të gjitha akuzat për keqmenaxhim dhe korrupsion duhet të trajtohen si një çështje me rëndësi madhore. Transparenca, konkurrenca dhe masat mbrojtëse përkatëse janë thelbësore për të siguruar që investimet e huaja të jenë në përputhje me rregullat e BE-së dhe të kontribuojnë në transformimin socio-ekonomik të Shqipërisë”-shprehet McAllister.
Më tej, eurodeputeti shton se këto tema do të jenë subjekt i shqyrtimit të Parlamentit Europian.
“Jini të sigurt se Parlamenti Europian do të vazhdojë të shqyrtojë nga afër procesin e anëtarësimit dhe reformat e Shqipërisë, duke përfshirë raportin vjetor për Shqipërinë, i cili do të paraqitet në Komisionin për Punët e Jashtme më 23 mars”, theksoi eurodeputeti, David McAllister.
Përmbajtja e letrës
"Faleminderit për ndarjen e letrës së tre grupeve parlamentare, duke tërhequr vëmendjen për shkeljet e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Bashkimi Europian-Shqipëri. Sundimi i ligjit mbetet një parim udhëzues i procesit të zgjerimit dhe të gjitha akuzat për keqmenaxhim dhe korrupsion duhet të trajtohen si një çështje me rëndësi madhore.
Transparenca, konkurrenca dhe masat mbrojtëse përkatëse janë thelbësore për të siguruar që investimet e huaja të jenë në përputhje me rregullat e BE-së dhe të kontribuojnë në transformimin socio-ekonomik të Shqipërisë. Jini të sigurt se Parlamenti Europian do të vazhdojë të shqyrtojë nga afër procesin e anëtarësimit dhe reformat e Shqipërisë, duke përfshirë raportin vjetor për Shqipërinë, i cili do të paraqitet në Komisionin për Punët e Jashtme më 23 mars. "