Von der Leyen pret që Kosova dhe Serbia të jenë konstruktive
BKT
Lajme

Von der Leyen pret që Kosova dhe Serbia të jenë konstruktive

B. H. / RTKlive

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur shpresën se Kosova dhe Serbia do të jenë “shumë konstruktive” në takimin e së shtunës në Ohër nën kujdesin e Bashkimit Evropian.

"Tani është mundësia për të dyja palët që ta shfrytëzojnë momentin. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është primar ose  vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Kështu që unë shpresoj shumë që të dyja palët të jenë shumë konstruktive në të ardhmen në bisedime”, tha Von der Leyen në një prononcim për Agjencinë Evropiane ENR.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 18 mars në Ohër, ku do të diskutojnë për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në planin e ri të BE-së, e të mbështetur nga SHBA.

"Lufta në Ukrainë nënvizon rëndësinë gjeostrategjike të procesit të zgjerimit të BE-së dhe ne duam t'i sjellim partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor sa më afër dhe sa më shpejt të jetë e mundur me Bashkimin Evropian", shtoi Von der Leyen.

Nëse zbatohet plani evropian ai do të shënojë një hap të rëndësishëm përpara në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve të nisur në vitin 2013 nën përkujdesjen e BE-së. 


MË SHUME NGA Lajme