Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA
Shqipëri

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

atsh

32 vjet më parë, më 15 mars 1991, Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas një shkëputjeje 52-vjeçare prej perëndimit, Shqipëria nënshkroi në Washington, Memorandumin e Mirëkuptimit, që parashihte çeljen e ambasadës shqiptare përtej Atlantikut. Për këtë arsye, në organikën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shtoheshin 5 punonjës, një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi).

Shpenzimet e nevojshme prej 270 mijë dollarësh për hapjen dhe funksionimin e ambasadës dhe për pajisjen e saj me autovetura dhe me orendi të ndryshme, duheshin përballuar brenda planit të miratuar për vitin 1991.

Ndërsa, ambasada e SHBA-së në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill të Ngarkuar me Punë “ad interim”. Hill u pasua nga ambasadori Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë shqiptare më 21 dhjetor të vitit 1991.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) publikoi sot dokumentet e nënshkruara nga ministri i jashtëm, Muhamet Kapllani dhe kryetari i Këshillit të Ministrave, Fatos Nano.


MË SHUME NGA Shqipëri